Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka zbritur sot në Jug, ku ka parë nga afër situatën me lumin Vjosa në urën e Mifolit. Çuçi tha se situata në Vjosë është e stabilizuar dhe se shtabi i emergjencës është në gatishmëri 24 orë. Sipas ministrit, situata është e tillë për shkak të ndërhyrjeve duke evidentuar si një problem vetëm projektimin e papërshtatshëm të urës së autostradës së re.
“Sot jam në Vlorë bashkë me prefektin dhe drejtorin e policisë për të parë situatën nga afër. Prefekti më informoi shtabi i emergjencës ka qenë 24 orë në gatishmëri me të gjitha institucionet që janë të përfshira në këtë menaxhim të situatës së emergjencës.
Sot këtu situata në Vjosë paraqitet e stabilizuar. Falë dhe disa ndërhyrjeve që ne po i bëjmë duke i marrë nga sipër sipas rrjedhjes së Vjosës, duke zbritur poshtë, situata po përmirësohet nga viti në vit. Mbetet gjithmonë një problem projektimi i papërshtatshëm i urës së autostradës së re kur është bërë në atë kohë dhe besoj se edhe asaj do t’i gjejmë një zgjidhje në perspektivë në mënyrë që ta çlirojmë dhe të mos krijohet si një grykë shisheje ashtu siç krijohet sot dhe krijon probleme për përmbytje të tokave dhe këtu në Novoselë. Mund të themi që falë ndërhyrjeve që kemi bërë duke filluar që nga pjesa e Vjosës që kap që nga Mallakastra, Selenica e deri këtu në Novoselë ku kemi projektin e fundit për një argjinaturë 650 metra që do të shkojë drejt grykëderdhjes besoj se situata do ndryshojë dhe me reshje intensive do të përballojë në mënyrë të tillë që të mos përmbyten toka bujqësore dhe aq më pak shtëpitë. Edhe për gjithë pjesën tjetër të qarkut të Vlorës, prefekti më konfirmon që gatishmëria është e plotë. Po punohet për rrugën në borsh, janë vendosur semaforët dhe kufizueset e betonit.
Besoj se do kemi dhe disa ditë të tilla me reshje por gatishmëria është e plotë dhe besoj se nuk do kemi surpriza me situata që mund të dalin jashtë kontrollit. Policia në shërbim 24 orë, i kam dhënë urdhër që FNSH-të të jenë në gatishmëri. Çdo gjë nën kontroll”, deklaroi ministri Çuçi.