Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.
Në një intervistë për ATSH-në, Renaldo Xhani, drejtori i Turizmit dhe Kulturës në bashkinë e Lezhës u ndal te disa nga “pikat e forta” që ndoqi kjo bashki për të nxitur turizmin edhe në kohë pandemie.
“Pandemia ndikoi në turizëm pasi munguan turistët e huaj dhe emigrantët e kthyer, që ishin të pakët në numër. Pavarësisht situatës së krijuar, turizmi në Lezhë tejkaloi pritshmëritë e kryesisht sezoni veror ishte i kënaqshëm për kushtet e reja që u krijuan. Numri i vizitorëve e pushuesve ishte rreth 60-70% në krahasim me vitin 2019, shifër kjo e më e ulët nga plani i vitit, por më e lartë pas rishikimit të treguesve si pasojë e masave shtrënguese për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19”, tha ai.
Pavarësisht problemeve që shkaktoi COVID-19 në sektorin e turizmit, Xhani tha se “bashkia e Lezhës veproi shpejt për të përshtatur situatën me kushtet e reja dhe vijoi një fushatë të theksuar promovimi për shërbime të shtuara, ndërhyrje që përmirësuan imazhin e zonave bregdetare dhe qendrave urbane, si dhe pati një vëmendje të madhe ambienti ku u ndërmorën fushata pastrimi në mënyrë periodike”.
Identifikimi i Lezhës si një destinacion gjithëvjetor, sipas tij, “solli kthimin e vëmendjes tek të gjitha asetet turistike dhe promovimin e tyre të vazhdueshëm”. “Për herë të parë u promovua maja e Kunorës në Pllanës dhe tunelet e periudhës astro-hungareze, duke nxitur realizimin e shtegut drejt këtij destinacioni. Për herë të parë është promovuar bregdeti Tale 2, një plazh ende i pashfrytëzuar që u promovua masivisht në rrjete sociale dhe media të ndryshme”, tha ai.
Po ashtu, Xhani u ndal edhe te nismat për zhvillimin e turizmit malor dhe tërheqjen e vizitorëve përtej sezonit turistik veror.
“Zona malore e Ungrejit ishte pjesë e rëndësishme e promovimit si pjesë e strategjisë për të identifikuar Lezhën si një turizëm gjithëvjetor. Janë shtuar kontaktet me agjencitë turistike për të përfshirë gjithnjë e më shumë Lezhën në turet e ndryshme turistike dhe kjo ka bërë që gjithnjë e më shumë të shtohen grupet e vizitorëve në zonat turistike të Lezhës. Janë identifikuar zonat me përparësi turizmin duke hartuar për to strategji promovimi dhe ndërhyrjesh konkrete kryesisht për vendosje sinjalistike dhe orientim për vizitorët dhe turistët”, tha Xhani.
Po ashtu, ai theksoi se u trajtua edhe një problem i kahershëm i Lezhës, siç është mungesa e udhërrëfyesve turistik, ku u mbështet një kurs falas për kategorinë e të rinjve të papunë”.
Në zonën bregdetare të Shëngjinit, Xhani tha se “u ndërhy për të çliruar shëtitoren ‘Willson’ nga tregtarët ambulantë, por duke u dhënë atyre mundësi të operojnë në afërsi të portit që të bëhet edhe shpërndarja e vizitorëve dhe pushuesve”.
“Zgjerimi i shëtitores drejt Kunes ndikoi në imazhin e zonës duke u dhënë mundësi pushuesve që të ruanin distancimin social, por në mbrëmje të kishin mundësinë për të shijuar xhirot e darkës. Këto elementë ndikuan që Lezha të ishte epiqendra e pushimeve verore dhe më e kërkuara për turizmin e kuzhinës dhe shëtitjet në natyrë”, tha ai.
Duke folur për prioritetet e 2021, Xhani tha se “bashkia e Lezhës ka planifikuar të tjera ndërhyrje për të përmirësuar kushtet në zonat turistike, fushata promovuese dhe bashkëpunimin me të gjithë aktorët”.
“2021 do të sjellë një përmirësim edhe sa i takon promovimit. Dixhitalizimi i informacionit, marketimi i shtigjeve, vendosja e ekraneve Touch screen për vizitorët dhe turistët janë një objektiv për të cilin po punohet fort me qëllim që të sigurohet mbështetja e nevojshme financiare por do të bashkëpunohet edhe me aktorët lokalë”, tha ai.
“Muzeu i Detit”, sipas Xhanit, “mbetet një sfidë e jashtëzakonshme, por kjo do të kërkojë edhe mbështetjen e qeverisë, kryesisht për sigurimin e ambientit dhe të materialeve ushtarake që po rrënohen dhe mund të përdoren për të treguar periudhën komuniste”.
Festat lokale do të kenë tjetër vëmendje dhe tjetër prezantim, pasi ato synohen të kthehen në një traditë që tërheq vëmendjen e vizitorëve të mundshëm.
“Besëlidhja e Lezhës më 2 mars, Festivali i Gastronomisë me 5-6 maj si dhe Dita e Shtegtarit me 15 gusht janë disa nga festat kryesore që do të jenë ftesa për të gjithë shqiptarët dhe të huajt nëse situata e pandemisë do të përmirësohet”, tha ai.