Prej javësh tashmë po deklarojnë largimin nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe qindra anëtarë dhe simpatizantë të saj. Së fundmi edhe 100 të rinj dhe të reja janë larguar nga LSI dhe do të marrin sot teserën e PS-së. Një prej tyre, Altin Kazazi, ka folur në emër të të rinjve dhe është shprehur se Me LSI nuk i lidh më asgjë pasi përfaqëson një rreth të ngushtë interesash familjarë.
Ne kemi dhënë kontributin tonë për LSI që në vitet e para të gjimnazit. Por sot me LSI nuk na lidh me asgjë sepse LSI nuk përfaqëson më asgjë tjetër përveç një rrethi të ngushtë interesash familjare dhe politike! Jemi shumë të keqardhur që LSI sot është kthyer në një parti ku duhet të jesh ose kushëri ose shërbëtor i familjes së udhëheqjes. Mjaft që të përmendim ish kryetarin e Bashkisë dhe kandidatët për deputetë sot, të gjithë kushërinj të Metës dhe shërbëtorë të Monikës. Si mund të bëhemi ne shërbëtorë të kushërinjve të tyre gjoja në emër të rinisë? LSI thotë Shqipëria është shtëpia juaj, ndërsa LSI vetë është shtëpia e kushërinjve dhe shërbëtorëve që tjetër thonë e tjetër bëjnë! Ne nuk jemi dot fasada e propagandës elektorale te Monikës dhe Metës, prandaj sot të gjithë së bashku kemi vendosur të ikim nga shtëpia e kushërinjve dhe shërbëtorëve, po jo nga Shqipëria! Ne do të regjistrohemi anëtarë të PS aty ku po regjistrohen përditë ata që LSI-në e kishin pasion jo pazar! Çfarë nuk kemi dëgjuar dhe duruar për pazaret e bëra në Tiranë me kontributet tona elektorale! Boll më! Ne do të vazhdojmë të angazhohemi si qytetarë në politikë për Beratin që duam me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, tha ai.
Kujtojmë se ky largim prej 100 të rinjsh nga LSI vjen pasi disa ditë më parë edhe dega e LSI-së në Gjeroven të Beratit është shkrirë. Dorëheqja e kryetarit të kësaj dege solli dhe largimin e 140 anëtarët e degës së LSI-së në fshatit Gjeroven, të cilët u shprehën se ndihen të papërfaqësuar nga kjo forcë politike. Deri më tani LSI-së i janë larguar figura të njohura, ku dy janë nga qarku i Beratit, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica, si dhe Ish-drejtori i portit të Durrësit dhe ish-drejtori i Aviacionit Civil, Aleksandër Lipivani duke iu bashkuar PS. Të larguarit i kanë cilësuar largimet e tyre si të imponuar nga sjella politike e LSI dhe përfundimi i eksperimenteve politike të kësaj partie. Ndërkohë që edhe deputetja, Ediola Braha, u largua nga radhët e LSI dhe u bashkua me PS-në.