Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Tiranës, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u janë përgjigjur pyetjeve të banorëve për problematika të ndryshme në kryeqytet dhe jo vetëm.
I pyetur për sa i përket rikonstruktimit të pallateve që janë dëmtuar nga tërmetet e 2019-ës, kryebashkiaku Veliaj tha se duke filluar nga muaji mars, Bashkia Tiranë dhe Qeveria do të financojnë 100% për rregullimin e tyre.
Është një fond që i shkonte pallateve dhe qindra pallate e kanë përdorur këtë fond, por ne kishim vënë një kusht: 50 me 50. Nëse do të bëhej një veshje me kapotë, do vihej një ashensor i ri, do viheshin panele diellore, do bëhej një izolim i tarracës së pallateve të vjetra, bashkia i jepte gjysmën e parave, jo për çështje financiare, por sepse banorët e mbronin dhe kujdeseshin më shumë. Tani në vend që ta bëjmë 50 me 50, do e bëjmë 100 % financimin. Në mars, do të fillojmë “a block”, të gjitha pallatet me riparime 100 % të Bashkisë së Tiranës, edhe me fondin e qeverisë sigurisht, u shpreh Veliaj.
Për lagjet e reja që po ndërtohen te “5 Maji” dhe në Kombinat, Veliaj dhe kryeministri Rama theksuan se kush do jetojë aty do të jetë shumë më mirë se ç’ishte më parë.
Vetëm ideja e lagjes së re, emri i madh, infrastruktura, cilësia e ndërtimit, i rrit vlerën pronës. Kush do të shkojë në lagjet e reja, realisht i ka rënë bingo, sepse do të vlejë ajo pronë, theksoi Veliaj.