Në Berat po investohet për ndërtimin e landfillit të ri me standarde europiane, që garanton një mjedis të pastër, zhvillim të turizmit dhe të ardhme të sigurtë të gjeneratave që do të vijnë. Kreu i bashkisë së Beratit, Ervin Demo u shpreh se qyteti simbol i arkitekturës botërore, ku impakti i rilindjes urbane dhe investimet në çdo cep të territorit po i japin një tjetër hov zhvillimor zonës, nuk mund të imagjinohej pa zgjidhjen e problemit të menaxhimit të mbetjeve, shoqëruar me një mjedis të gjelbër.
“Zgjidhja ofrohet përmes landfillit të ri ku puna vazhdon me ritme të shpejta, ndërkohë që 90 % e punimeve kanë përfunduar”, thotë Demo. Ky investim madhor është fundi i një historie toksike, që qytetarët beratas e vuanin prej vitesh teksa shihnin vendgrumbullime të gjithëfarësoj mbetjesh në çdo cep të hapësirës publike. “Pa harruar të përmend se landfill-i është domosdoshëmëri edhe për habitatin; Osumi shpëton nga rrjedha e papastërtive”, theksoi Demo.