Humbja në kampionat, qoftë ndaj një skuadre modeste në emër si Spezia, mund të qëndrojë, por është një detaj që vë me shpatulla pas muri të besuarit e Piolit.
Milani nuk ka provuar asnjë goditje drejt portës së kundërshtarit. Është pikërisht kja e dhënë që shqetëson më shumë se vetë disfata. Për herë të fundit Milani nuk e kishte goditur portën e kundërshtarit një vit e gjysmë më parë. Më 25 gusht 2019, Udinese mposhti “Rossonerët” pa e lejuar të shënjestronte qoftë një herë portën e Mussos.
Pas 419 ditësh, Milani nuk arrin të shënojë në transfertë në ndeshjet e Serisë A. Për herë të fundit kishte ndodhur në humbjen turpëruese 5-0 kundër Atalantës, më 22 dhjetor 2019.
Për më tepër, Milani nuk ishte mposhtur në kampionat nga një ekip i sapopromovuar që nga 21 Prilli 2018: atëherë ishte Benevento që “pushtoi” “San Siron” falë një goli të Pietro Iemmellos.
Pamundësia për të goditur portën e kundërshtarit iu shtua paqëndrueshmërisë mbrojtëse: Reparti i pasmë gaboi si në golin e Maggiores ashtu edhe në finalizimin e Bastonit që ishte në gjendje të merrte shënjestër i pashqetësuar në hyrje të zonës.
Nuk është për t’u habitur që lojtari më i mirë i Milanit ishte Gianluigi Donnarumma, i cili në fund u desh të hiqte dorë, pasi bëri një pritje të shkëlqyeshme në distancë të afërt ish-it Saponara.
Me pak fjalë, një Milan shumë i keq për të qenë i vërtetë, një aspekt i nënvizuar gjithashtu nga Pioli pas ndeshjes. Nëse kuqezinjtë duan vërtet të fitojnë kampionatin, nevojitet një frymë krejt tjetër në angazhimet e radhës.