Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh se sinjalet nga Prishtina, Brukseli dhe Uashingtoni tregojnë se ata duan vetëm që Serbia ta njohë Kosovën, por përgjigja jonë ndaj gjithë kësaj do të jetë “durimi dhe toleranca”, tha ai.
Këtë deklaratë kreu i shtetit serb e bëri në Kurshumli, pas një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike të serbëve të Kosovës. Vuçiç iu përgjigj me këtë koment pyetjes nëse është e mundur që statusi i Kosovës të zgjidhet në relacionin Prishtinë-Bruksel- Uashington, pa Beogradin.
“Do të shohim se çfarë do të thonë për Marrëveshjen e Uashingtonit. Po e shoh që nuk po u pëlqen. E vetmja gjë që do të dëshironin është që Serbia ta pranojë Kosovën. Në rast se ata mendojnë që kjo realisht është e mundur, atëherë, lum si ata. Ne nuk mendojmë ashtu”, tha Vuçic.
“Më mirë t’i lëmë ata që ta tregojnë nervozizmin, ndërkaq që ne, do të vazhdojmë të merremi me fuqizimin e ekonomisë tonë”, theksoi presidenti serb.
Përpara se të bënte këto deklarata, ai kishte biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë në 14 shkurt në rajonet me shumicë serbe, fitoi numrin maksimal prej 10 vende për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. “Pavarësisht se disa investuan shumë para që t’i përçajnë serbët, nuk patën sukses”, tha Vuçiç.