Vaksina e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca, sipas një studimi të ri, jo vetëm që mbron njerëzit nga simptomat e rënda të sëmundjes dhe vdekja, por edhe ngadalëson transmetimin e virusit. Studimi është kryer nga Universiteti i Oksfordit dhe është prova e parë që një vaksinë kundër koronavirusit ul transmetueshmërinë e tij.

Kërkuesit shkencorë e bënë matjen duke i bërë testin çdo javë vullnetarëve, për të parë shenja të virusit mes tyre. Në fund, vunë re se kishte 67% më pak teste pozitive mes personave të vaksinuar. Pra, rezultatet tregojnë se vaksina e AstraZeneca ul transmetueshmërinë e Covid-19 me 2/3.

Ministri britanik i Shëndetësisë u shpreh: “Është një lajm i shkëlqyer. Ne tani e dimë që vaksina e Oksfordit mund të ulë transmetueshmërinë dhe kjo do të na ndihmojë që të dalim nga kjo pandemi. Kjo duhet t’u japë të gjithëve besim se duhet ta bëjnë vaksinën, jo vetëm për të mbrojtur veten, por edhe që të mos ia kalojnë të tjerëve virusin”.