Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se në kohën kur institucionet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat gjatë gjithë pandemisë shteteve të Ballkanit u kanë mbajtur ligjërata për “qasjen dhe mundësitë e barabarta” dhe kur “solidariteti” i proklamuar prej tyre për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 është tretuar nga “nacionalizmi” i vaksinave, ndihma e Shqipërisë për Kosovën, ka peshë edhe më të madhe dhe tregon se edhe të vegjëlit mund t’ia dalin kur punojnë së bashku dhe nuk u mungojnë vlerat.

Zemaj në emër të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, përkatësisht kryeministrin Edi Rama dhe ministren Manastirliu, për mundësinë që u dhanë një numri të konsideruar të profesionistëve shëndetësor nga Kosova që të vaksinohen kundër COVID-19 në Kukës.

“Gjithashtu, një falënderim i veçantë edhe për profesionistët shëndetësor të Shqipërisë që me etikë dhe profesionalizëm të lartë administruan dhënien e vaksinave tek kolegët e tyre kosovarë përgjatë këtyre dy ditëve, bashkë me të gjithë ata që kontribuan në realizimin e vaksinimit (Ambasadorin Hasani, FSSHK-në, etj.), që si akt, përtej çdo simbolike, tregon rëndësinë e bashkëpunimit midis dy shteteve në funksion të mbrojtjes sa më adekuate kundër COVID-19. Jam i bindur se profesionistët shëndetësor nga Kosova do ta vlerësojnë gjithmonë këtë kontribut të Qeverisë së Shqipërisë. Falënderimi më i mirë nga ana e tyre është kujdesi që ata kanë treguar dhe po tregojnë gjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë për qindra pacientë me COVID-19 nga zonat e veriut të Shqipërisë, të cilët në Spitalin e Prizrenit, Spitalin e Gjakovës, por edhe në QKUK, gjetën një trajtim sa profesional, aq edhe vëllazëror. Bashkë kundër COVID-19”, thuhet në një letër falenderuese të Zemajt.