Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot fjalën e tij në çeljen e fushatës së PS teksa nuk ka kursyer sulmet ndaj rivalit të tij politik.
Referuar pamjes së papërgjegjshme të mitingut të PD, ku qindra njerëz shkelën masat anti-covid, ai tha se kjo është një kartolinë e shëmtuar.
Ai madje thumboi edhe vonesën e Lulzim Bashës në çeljen e fushatës së tij.
Pjesë nga fjalimi i Ramës:
Ne sot nisim fundin e një fushatë që nuk ka të ndaluar në asnjë moment qysh nga dita që kemi marrë mandatin e parë. Sepse ndryshe nga çfarë ndodhte në të shkuarën, ne kemi qenë në lëvizje te vazhdueshme dhe përpjekje të vazhdueshme. Por sidoqoftë sot zyrtarisht nis fushata e zgjedhjeve të 25 prillit. Sot ndihemi të çuditshëm sepse e tillë është koha. Ndryshe nga herët e tjera po bëjmë përpjekjen serioze që ndërkohë që bëjmë detyrën, respektojmë rregullat e kësaj kohe. Uroj që në pjesën tjetër të jetës tonë që vjen ta shohim si një moment që na jep mundësinë të bëjmë fushatë jo vetëm flasim, por edhe dëgjohemi. Ne dhe ata u kemi vënë njerëzve përballë dy kartolina në një ekran televizori të ndarë. Mjafton të shohësh dy pamjet të kuptosh hendekun që na ndan neve me ata në raport me shtetin dhe njerëzit. Këtu ka respekt për shtetin, rregullat dhe ligjet. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për ligjin apo për njerëzit. Kjo është fytyra e fushatës tonë. Fytyra e fushatës së tyre është krej tjetër. Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore dhe familjare. Atje sundon papërgjegjshmëria në atë kartolinën e tyre. Këtu shëndeti i njerëzve është si çdo ditë mbi gjithçka tjetër. Ndërsa atje partia është mbi shëndetin e njerëzve. Këtu ka respekt për hapësirën dhe ajrin, atje ka ndotje dhe zhurmë. Pamje me makina dhe dasmorë që presin një dhëndër për një orë. Natyrisht po flinte gjumë se takimin e la në orën 5. Atje në vend të dhëndrit, dasmorët dëgjonin klithma e pasthirrma.