Edhe pse jemi në një situatë të rënduar epidemiologjike nga frika e përhapjes së koronavirusit, qytetarët beratas nuk kanë harruar ritet e Ditës së Verës dhe traditat qindra vjeçare për të pritur pranverën.

Beratasit kanë ndriçuar mbrëmjen e sotme oborret e banesave, bahçet e rrugët e qytetit, duke ndezur zjarre të shumta për të festuar Ditën e Verës. Dita e Verës është një festë pagane e trashëguar ndër breza së bashku me rituale e saj specifike, që edhe sot vijojnë të respektohen nga banorët e Beratit e gjithë Shqipërisë, edhe pse të përshtatura me kohët që jetojmë.

Pas ndezjes së zjarreve, banorët kalojnë mbi to, duke respektuar një ritual pagan që simbolizon djegien e të këqijave dhe mikpritjen e një sezoni tjetër më të begatë. Kjo traditë ka shekuj që kryhet në Berat me ndezjen e zjarreve në vigjilje të Ditës së Verës, për të mirëpritur një behar të mbarë.

Edhe pse beratasit nuk do të mund ta festojnë këtë vit Ditën e Verës si çdo vit tjetër, me festime e grumbullime masive në sheshe e restorante, kanë vendosur të paktën të kryejnë ritualin e zjarreve të darkës deri në mesnatë, që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e Pranverës.