Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, gjatë një takimi me banorët e Rajonit 5 në Elbasan, komentoi veprimet e dhunshme të Presidentit Ilir Meta.

Gjatë takimit, qytetarët shprehën indinjatën e tyre për degradimin e Presidentit të Republikës, i cili sulmon Policinë Bashkiake brenda godinës së një partie politike. Duke cituar Kushtetutën, Balla tha se Presidentit nuk i lejohet të jetë anëtar i një partie politike apo të bëjë deklarata të një krahu politik.

Balla shtoi më tej gjatë fjalës së tij se, Meta e ka shkelur këtë ligj që ditën e dytë pasi u zgjodh President, kur mori pjesë në fushatë elektorale. Në fund të bashkëbisedimit me banorët, Balla shtoi se Meta në vend që të përfaqësojë vlerat e integrimit europian në Shqipëri, është kthyer në një roje.

“Ilir Meta ka kohë që nuk është më President i Shqipërisë. Kushtetuta thotë që Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit. Duke u shprehur kështu ligjvënësi ka parashikuar që në momentin që zgjidhesh president të ndalohet të jesh anëtar i një partitë politike, të marrësh pjesë në aktivitete politike dhe të bësh deklarata të natyrave të një krahu apo një krahu tjetër politik. Ilir Meta nuk e bëri që ditën e dytë pasi u zgjodh President. U zgjodh më 27 prill dhe mori pjesë në mënyrë të hapur në fushatën elektorale. Rasti që përmend është një rast shumë i qartë i një Presidenti që pasi humbi dashurinë, pasi humbi qetësinë, tani ka humbur edhe mendjen. Ky President sot ndërsa duhet të bëjë gardianin e ligjshmërisë, së Kushtetutës, të promovojë vlerat e konsensusit politik, vlerat e integrimit europian në Shqipëri, sot është kthyer në një roje”, deklaroi Balla.