Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, në takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, z. Valbon Krasniqi, ka biseduar për situatën epidemiologjike kundër COVID-19.
Pasi që vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19, u kërkua mirëmbajtja e masave në fuqi dhe respektimi i plotë i tyre. Ndërkohë që, institucionet shëndetësore janë duke punuar intensivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor.
Nga shtabet komunale, policia, AVUK-u dhe Inspektoratet, u kërkua që të rrisin angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të bëjnë respektimin rigoroz të masave në fuqi.
Po ashtu, nga të gjithë qytetarët u kërkua që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
Sa i përket furnizimit me vaksina, gjatë këtij muaji pritet të arrij kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti COVID-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë.