Premtimi për furnizimin me ujë 24 orë në të gjithë territorin do të realizohet brenda mandatit të tretë. Kjo ishte deklarata e Kryeministrit Rama sot, teksa përmendi të gjitha arritjet në këto 8 vite sipas tij.

“Ne kishim 12 orë ujë në ditë si mesatare. Në dhjetor të këtij vitit do të kemi 18 orë ujë në ditë dhe në mbyllje të mandatit të tretë 24 orë ujë në ditë. Nga një anë kemi rritur si asnjëherë më parë furnizimin me ujë në rang territori. Njëkohësisht nga ana tjetër ne kemi hyrë në një proces transformimi në disiplinimin e marrëdhënieve mes konsumatorit dhe këtij malli, jetik por mall sidoqoftë. Kemi mbuluar me matëse 81% të popullatës dhe në fund të mandatit të tretë shkojmë 96%. Pra thuajse dyfishi i popullatës që kishte një matës në vitin 2013. Sfida e ujit është një sfidë që po fitohet dhe këtu kam parasysh se është një sfidë krejt e ngjashme me të gjitha sfidat e tjera që po fitohen. Pra, që do të thotë se na duhet kohë akoma”, tha Rama.