Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e së enjtes në “Real Story” se nuk e sheh veten si të konsumuar në krye të ekzekutivit. I pyetur përse duhet t’i besohet një mandati i tretë, ai u shpreh se e sheh të nevojshme të konsolidohet drejtësia e re si dhe të përfundojnë projektet që ka nisur. Rama përsëriti se mandati i tij i dytë u godit nga tërmeti dhe pandemia.
Ai shtoi se teksa Partia Socialiste kërkon mandatin e tretë, Sali Berisha dhe Ilir Meta po kërkojnë të pestin. “Unë po kërkoj mandatin e tretë ndërsa Saliu dhe Iliri po kërkojnë të pestin përmes dhëndrit që kanë vënë në krye (Lulzim Bashës).
Nëse unë humbas pse jam renditur i teti në Durrës dhe Vlorë? Kjo është njësoj sikur të thuash se Dashamir Shehi do të lërë rakinë pas 25 Prillit, Vangjel Dule do të bëhet çam, Mesia Doda do të bëhet anëtare e Urdhrit të Nënë Terezës dhe Agron Duka do ta braktisë pularinë për t’u bërë zbutës elefantësh” – tha Rama për ‘Real Story’.