Me katër qershor të 2020, Avdullah Hoti pati parakaluar i vetëm Gardën Ceremoniale, për të marrë postin e kryeministrit, pasi paraardhësi i tij Albin Kurti e kishte vlerësuar si “kryeministër jo legjitim”.
Por, një vit pas, kryeministri Kurti nuk refuzoi që detyrën ta marrë pikërisht nga Hoti.
Me të përfunduar pranim dorëzimin e detyrës, ai zhvilloi edhe mbledhjen e parë të Qeverisë, në të cilën u kërkoi ministrave që sa më parë të paraqesin planet e punës.
Në këtë fjalim drejtuar ministrave, Kurti ka vënë theksin tek problemet e brendshme.
Ashtu si në Qeverinë Kurti I, ai ka kërkuar që të auditohen institucionet e brendshme, të ndërrohen menaxhmentet me qëllim të përmirësimit të performancës së punës.
Me mbylljen e votimit të Kuvendit dhe Qeverisë, sfida tjetër e partisë fituese është zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente, për çka është paralajmëruar thirrja e seancës brenda kësaj jave.