Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Itali, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me homologun italian, Ministrin e Punëve të Jashtme, Luigi di Maio.Në fokus të takimit ishte dakordësimi për përfundimin e procedurave për marrëveshjen për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit.
“Një tjetër hap konkret i bashkëpunimit bilateral ishte dakordësimi i sotëm për përfundimin e procedurave për Marrëveshjen për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, që do të firmoset javën e ardhshme në Tiranë. Në fakt, e diskutuam edhe me kolegun Di Maio, janë pikërisht veprime konkrete si ky, edhe pse në dukje të vogla në skemën e madhe të diplomacisë, që kanë impaktin më konkret e të drejtpërdrejtë tek qytetarët”, u shpreh ministrja Xhaçka gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp.
Gjithashtu, Kryediplomatja Xhaçka vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Italisë ndaj proceseve integruese të Shqipërisë, duke theksuar se Italia historikisht ka adoptuar një qasje strategjike ndaj rajonit tonë në raport me vendet e tjera anëtare të BE.
Nga ana tjetër, Ministri Di Maio krahas vlerësimit të Shqipërisë në rrugën e integrimit, nënvizoi se është shumë e rëndësishme mbarëvajtja e zgjedhjeve të 25 prillit.
“Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë një etapë thelbësore sa i përket rrugëtimit evropian. Jemi të sigurt se të gjitha institucionet dhe forcat politike shqiptare do të japin prova për maturi demokratike, duke konfirmuar se janë gati për të ndërmarrë rrugën evropiane ”