Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se gjatë mandatit të tretë do sigurohet 100% ujë i pijshëm. Ai tha se e gjeti sistemin e ujësjellësit në kolaps, ku ndërmarrjet ishin kthyer në fole punësimi partiak, por sot, tha Rama panorama paraqitet ndryshe.
“Ndërmarrje e Ujësjellësit ishin fole punësimi partiak. E nisëm më konceptimin e një tjetër arkitekture të administrimit të sistemit me krijimin e një agjencie kombëtare që koordinon nga lart investim dhe sistemin e furnizimit me ujë dhe administrimin e mbetjeve me një plan strategjik dhe financim masiv të projekteve që nisën të hartohen njëri pas tjetrit. Kemi miratuar gjatë mandatit të 2-të 320 projekte dhe vetëm në dy vitet e fundit janë hapur mbi 200 kantiere për ujësjellës që do të garantojnë 24 orë ujë brenda këtij viti, në territor, që e kanë pasur një vuajtje dhe lëngatë prej shumë dekada. Në mandatin e tretë do të garantojmë me disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, ku është dhe problemi më i madh. Kështu do të ndodh edhe në Kamëz, ku s’ka pasur ujë më parë. Me rritjen e buxhetit për ujin me 40% ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë e fushatave elektorale”, tha Rama.