Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të skuadrës së PS-së për zgjedhjet e 25 prillit në Shkodër, Rama veçoi si prioritet zhvillimin e turizmit, ndërsa theksoi se “këtu kemi një potencial të jashtëzakonshëm”.
Natyrisht, theksoi kryeministri, “infrastruktura bazë ka qenë e mbetet një prioritet i yni”.
“Fola për rrugën Shkodër – Velipojë, por ndërkohë mos harrojmë që aktualisht është në kantier rruga e Thethit, e cila është edhe ajo një kërkesë e kahershme historike dhe sot mësova që në Theth, Bashkia e Shkodrës, i vetmi kontribut që ka dhënë dhe e vetmja prani që ka, është kontributi i taksidarëve, prania e inspektorëve për të gjobitur të gjithë ata që kanë transformuar shtëpitë e tyre në bujtina. Siç mësova se është gjobitur edhe kjo këtu, një pallat i vjetër dhe më kujtohet kur kam ardhur këtu për herë të parë dhe e kam parë këtë kryevepër që kanë bërë njerëzit e kësaj familjeje në hyrje. Jam goditur nga pamja e tmerrshme që ishte këtu. E ndërkohë që, kanë bërë gjithë këtë investim, për të kthyer një pallat të vjetër të Enver Hoxhës në këtë objekt që shihni, kanë mbi kokë një gjobë të Bashkisë Shkodër për nuk e di çfarë. Gjëra absurde, gjëra të tmerrshme”, tha Rama.
Ndërkohë, Rama tha se “ne, jo vetëm që kemi hapur një rrugë të re duke financuar drejtpërdrejtë ose duke marrë pjesë në financimin e transformimit të shtëpive karakteristike, të shtëpive të vjetra në bujtina, në pika turistike, në pika agroturistike, por do vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe më fuqishëm”.
“Ne nuk po bëjmë thjesht rrugën për në Theth, por projekti parashikon dhe disa ndërhyrje brenda në Theth, siç kemi bërë ndërhyrjet lartë në Malësinë e Madhe, në Vermosh, ku sot ka infrastrukturë mikpritjeje e ku gjatë gjithë periudhës së dimrit, rruga e pastruar në mes të gjithë atyre bukurive me borë, ka çuar atje plot njerëz që e kanë frekuentuar dhe kanë qëndruar atje”, tha Kryeministri.
Lidhur me turizmin historik dhe me turizmin e trashëgimisë kulturore, Kryeministri veçoi ndërhyrjen e mëtejshme në të gjitha ato pika që mund të transformohen në arsye për të sjellë këtu sa më shumë vizitorë e turistë.
“Vizitova Xhaminë e Plumbit, të cilën për herë të parë e të fundit e kisha parë kur isha këtu, bashkë me një grup miqsh të Akademisë së Arteve në atë momentin historik të varrezave të Rrmajit dhe kur në ato ditë ndodhi edhe ajo ngjarja fantastike e mobilizimit të myslimanëve dhe katolikëve për të liruar hapësirat e Xhamisë së Plumbit, për të filluar ritet. Ne kemi tani jo vetëm projektin, por edhe financimin për kthimin e Xhamisë së Plumbit në një pikë referimi jo thjesht për komunitetin të besimtarëve myslimanë të Shkodrës, por për shumëkënd tjetër. Pata një bisedë shumë të këndshme me Myftiun dhe folëm pikërisht për si gjithë ai pellg aty mund të kthehet në një pikë referimi, një objekt fantastik, një xhami që është jashtë normave tradicionale klasike të arkitekturës islame, një vepër e një personaliteti të madh, i cili faktikisht ka ndërtuar një xhami atipike. Një xhami arnaute, që është një perlë, por ku problemi më i madh historikisht ka qenë uji që përmbyt rregullisht dhe braktisja”, tha Rama.
Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se “do të ndërhyjmë për gjithë restaurimin deri në fund të Xhamisë së Plumbit e po ashtu, për gjithë hapësirën rreth e rrotull”.
“Unë i propozova që hapësira rreth e rrotull të bëhet parku i pemëve të Kuranit. Gjithë pemët dhe bimët, frutat që përmenden në Kuran të jenë pjesë e atij parku dhe ai park të bëhet një destinacion. Natyrisht, një park i dëshiruar dhe mikpritës për ata që shkojnë aty për t’u falur, por një park ku mund të shkojnë e me siguri do shkojnë dhe të tjerët, turistët dhe vizitorët. E të tilla Shkodra ka plot. Nuk është thjesht një, dy apo tre. Vlerësimi i tyre është absolutisht një arsye e fortë e punës sime, e përpjekjeve të mia, e tërësisë së arsyeve pse unë merrem me këtë punë”, tha Rama.