Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në Opinion tha se mënyra si Partia Socialiste kishte zgjedhur të hapte fushatën zgjedhore lidhet me kushtet e pandemisë.

Kreu i qeverisë e quajti një shfaqje vulgariteti mitingun e partisë Demokratike këtë të enjte për shkak se nuk u zbatuan rregullat e diktuara nga koronavirusi.

Rama tha ndër të tjera se i do njerëzit të shëndetshëm edhe pas 25 Prillit.

“Unë mendoj se ka diçka që nuk shkon tek ju, ku ju duket sikur jetojmë në kohë normale dhe këtu bëhet fjalë për një strategji që lidhet me një zgjedhje të lirë që ne mos të bënim sot një miting tradicional hapjeje, apo fakti që unë, siç e thashë edhe në atë fjalë, komunikova në mënyrë ndryshe nga ajo tradicionalja, është e lidhur me ritmin tim. Nuk është e lidhur me ritmin tim.

Jemi në kushte pandemie dhe jemi në një kohë shumë të rrezikshme për shkak të mundësisë reale që numrat edhe si pasojë e versionit britanik që ka hyrë në Shqipëri tanimë, të rriten në mënyrë të ndjeshme dhe jemi në një kohë kur vendet e tjera janë në lockdown total dhe këtu në këtë vend ju kujtoj që ka një rregull në fuqi, që duhet ta zbatojnë të gjitha që nuk lejon të tilla shfaqje të rrezikshme për shëndetin. Ajo që u shfaq sot në sheshin “Nënë Tereza” ishte një shfaqej papërgjegjshmërie përveçse vulgariteti, rrumpalle që nuk kuptohen pse, një shfaqje e rrezikshme për shëndetin. Nuk kam ndërmend të bie në kurthin e emocioneve politike, apo emocioneve edhe të bazës së partisë që në telefonin tim vijnë mesazhe përditë ‘pse mos të presim ty dhe ne’. Jo sepse për mua gjëja më e rëndësishme është shëndeti, është lufta me virusin. Njerëzit i dua të shëndetshëm edhe pas 25 Prillit dhe nuk i kam njerëzit mish për top për të bërë shfaqjen time”, tha Rama.