Pas studimeve, në një takim të zhvilluar me EMA, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë apel shteteve të nisin sërish përdorimin e vaksinës anti-COVID AstraZeneca pasi ajo është e sigurt.

Kjo nuk është hera e parë që OBSH-ja mbështet përdorimin e vaksinës AstraZeneca, duke argumentuar faktin që është efikase dhe e sigurt dhe se nuk ka prova për lidhjen e saj me rastet e mpiksjes së gjakut të disa pacientëve pasi morën dozën e saj.

Edhe Agjencia Evropiane e Barnave ka deklaruar se benefitet e kësaj vaksine janë më të mëdha se rreziku për efekte anësore.

Në këtë valë kundërshtimesh për AstraZeneca ka reaguar edhe vetë kompania farmaceutike duke paraqitur prova se vaksina nuk shkakton mpiksjen e gjakut.

Takimi mes Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë është zhvilluar pas pezullimit të vaksinës AstraZeneca në disa shtete brenda dhe jashtë BE-së.

Të kërcënuar nga një valë e tretë e COVID-19, nën presionin e kohës për arritjen e imunitetit të tufës dhe kur disa shtete ende nuk kanë asnjë dozë të vaksinave anti-COVID, vendimi i disa shteteve për pezullimin e AstraZeneca duket absurd.