Tashmë jemi mësuar me daljen jashtë rolit të tij institucional të Ilir Metës. E ka pranuar edhe ai në një mënyrë apo në një tjetër, por duke thënë se e bën për një kauzë më të madhe se sa interesi personal.

Por pamjet e presidentit, sjellja e tij, gjestet, mimika, toni dhe gjithçka tjetër tejkaluan edhe limitin e fundit të kornizave të një presidenti Republikë në Republikën Parlamentare të Shqipërisë.
Shumë shpejt ndoshta pamjet do të bëhen spot fushate nga socialistët, të cilët presin që sjellje të tilla të Ilir Metës të përsëriten edhe më shpesh para dhe gjatë fushatës. Por kjo është punë e tyre dhe punë e partive.

Punë e shqiptarëve është që nuk mund dhe nuk duhet të shohin një president në këtë gjendje, qoftë për të trembur kundërshtarët e tij politikë, qoftë edhe për t’i dhënë zemër përkrahësve të opozitës se tek ai do të gjejnë flamurtarin dhe udhëheqësin e sotshëm dhe të nesërm.

Gjendja e Ilir Metës këtë të premte paradite vetëm nder nuk i bën institucionit, sado dikush të thotë se ishte për një kauzë të drejtë dhe sado shumëkush të thotë se ai ka dalë jashtë binarëve në një kauzë të gabuar dhe në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.

Ilir Meta, edhe nëse ka një abuzim nga institucione të shtetit, nuk ka as tagrin as detyrën që të dalë e të zihet me grushte me policët.

Presidenti, sado të ketë qejf të dalë në fushatë kundër Edi Ramës, duhet të respektojë karrigen ku është ulur dhe nuk mund të bëjë Supermenin rrugëve të Tiranës e Shqipërisë.

Me këtë sjellje, Ilir Meta ka grisur përfundimisht edhe atë që kishte mbetur nga kostumi ceremonial i presidentit dhe ka veshur tutat e mundjes, si dikur në fillim të viteve ‘90 të fortët e rrugëve të Tiranës.

Tani prej presidentit do të presim që për çdo përplasje, në çdo zyrë elektorale, takim apo tubim, presidenti t’i japë të drejtë vetes të hyjë, të ndërhyjë, të shajë dhe të dëbojë gjithkënd, të bëjë drejtësi sipas tij, vetëm sepse militanti, simpatizanti, polici bashkiak, ai i rendit e çdo nëpunës shtetëror të mos kenë të drejtë t’i përgjigjen të frikësuar nga përballja me presidentin e Republikës.

Në të mirë apo në të keq, në shkelje apo në zbatim të ligjit, sepse presidenti tani ka marrë çdo atribut, gati-gati edhe drejtësinë hyjnore.

Në asnjë vend të botës, presidenti nuk del rrugëve dhe nuk zihet me grushte të parin që i del përpara.

Nuk është as detyrë e presidentit dhe as taksirat i shqiptarëve që të shohin në këtë gjendje presidentin.

Qoftë Ilir Meta apo qoftë kushdo tjetër që ulet në atë karrige. Presidenti është president jo vetëm i opozitës, por edhe i socialistëve.

Edhe nëse këta janë 20 për qind e shqiptarëve siç thotë opozita, janë përsëri shumë që meritojnë ë Ilir Meta të respektojë ata dhe zyrën në të cilën është zgjedhur.(SI)