Nga Artur Ajazi/ Gati në çdo dalje mediatike, apo dhe pas çdo deklarate të shoqëruar me “trashje zëri”, duke ju drejtuar veçanërisht kryeministrit Rama, qëndron “radioloja” mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, me Lulzimin si personazh i tretë në mes. Ata përfundimisht janë në betejën e tyre të fundit, Basha për të ruajtur postin e kryetarit të opozitës, dhe Meta për ta marrë atë pas 25 Prillit. Askujt më mirë se atyre, nuk do ti shkonte në kolonë zanore muzika e filmit “Oktapodi”, ashtu siç Monika Kryemadhi, ka nisur ta vendosë gjithmonë kur bën akuza dhe “denoncime” për korrupsion.

Mendo tani, kur Monika dhe Iliri, janë (vetë)shpallur “kalorës të luftës ndaj korrupsionit dhe vjedhjes së votave”, çfarë duhet të thonë shqiptarët që e kanë provuar jo pak por në 3 mandate qeverisëse “ndershmërinë” e çiftit që drejton LSI-në, partinë që njeh vetëm blerjen e votës. Mendo se çfarë duhet të thonë shqiptarët që e kanë provuar, se si me thesin e miellit, 50 mijë lekëshin apo dhe “regalo” të tjera u merrej vota në zgjedhjet e shkuara, tek dëgjojnë Ilirin të kërcënojë me “prerje duarsh po të preket vota”. Mendo se çfarë duhet të thonë shqiptarët, tek dëgjojnë Monikën e Ilirit, tek “denoncon” konçensionet, inceneratorët, tenderat, etj, kur e dinë se si “krruheshin” xhepat e ministrave dhe drejtorëve, kur zbraznin paratë tek thesi i Shefit. Por qeverisja e Edi Ramës u preu rrugën shumë prej këtyre veseve të Ilirit dhe Monikës, por ja që në lojë tanimë është edhe Lulzim Basha.

Ai mbetet gjithmonë “personazhi i tretë i radiolojës” e cila ka nisur dhe drejtohet mjeshtërisht nga Sali Berisha. Qëllimi është i qartë, Lulzimi humbet zgjedhjet, kurse Meta merr “komandën” e opozitës, dhe gjithçka “OK”. Perversitete të tilla ka njohur shpesh fushata e Partisë Demokratike, por kësaj here, askush tjetër si Ilir Meta nuk është personazhi më i parapëlqyer i Sali Berishës, në skenarin e tij për të ruajtur të paprekur figurën dhe pasuritë e tij pas 25 Prillit nga drejtësia e re. Lideri historik i PD, i ka lënë fushë të lirë Ilir Metës, të bëjë ai më shumë se Lulzimi fushatën e opozitës, ta rivalizojë dhe injorojë shpesh atë, duke qenë i sigurtë në përfundimin me sukses të skenarit. Më tepër se lufta për të riardhur në pushtet, Lulzimit i duhet të përballet seriozisht kësaj here me rrezikun “Meta”, i cili nuk ka çfarë të humbasë më tepër se largimi me turp nga posti kreut të shtetit, dhe ndëshkimi që po i kanoset nga drejtësia e re. Lëvizjet e fundit, retorika e shfrenuar, veprimet dhe kanosjet ndaj çdo kundërshtari politik që pengon interesin personal, lufta dhe beteja ndaj çdo faktori ndërkombëtar dhe aleati të Shqipërisë, ç’ekujlibrimi mendor i shpeshtë, janë shenjat më domethënëse që lajmërojnë një skenar të frikshëm të detajuar dhe me vetëdije të plotë, që kanë në mëndjen e tyre Meta-Berisha, pas humbjes historike në 25 Prill.

Natyrisht nuk do t’ja dalin, por kryesore mbetet beteja e pamundur e Lulzimit (jo me Ramën sepse atë e ka të humbur) me Ilir Metën, i cili e ka mbledhur mëndjen “top” për të qenë ai kryetar opozite pas 25 Prillit. Por edhe mosreagimi i Sali Berishës ndaj këtij vendimi absurd të Ilir Metës, tregon qartë “beslidhjen” mes tyre, dhe nxjerrjen jashtë loje të Lulzimit. Asgjë nuk mund të fshihet më pas “perdes” së zyrës së Sali Berishës. Momenti i duhur ka ardhur. Lulzimi e ka mbushur kupën, (por ai nuk kupton gjë akoma) dhe meriton të largohet, për ti hapur rrugën një kryetari të ri për opozitën e sakatepsur, e cila do të jetë thjesht një banderolë e dalë boje, që do të mbajë firmën e njeriut më të pasur të këtij vendi.