Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga 1 janari i vitit 2022 pagat deri në 40 mijë lekë në sektorin privat dhe atë publik do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Gjatë prezantimit të “Planit të veprimit 2021-2025”, kryeministri Rama tha se “Partia Socialiste, jo vetëm synon rritjen në 40 mijë lekë të pagës minimale brenda mandatit të tretë, por nga 1 janari 2022, ne do ta heqim taksën mbi pagën për pagat deri në 40 mijë lekë për sektorin publik e privat”,

Sipas tij, ky është një planifikim financiar e jo elektoral. “Kjo do të thotë që duke nisur nga viti i ardhshëm, 63% e të punësuarve që marrin pagë nga 30 mijë deri në 40 mijë lekë nuk do të kenë taksë mbi pagën. Të gjitha do t’i çojnë në shtëpi. Duhet të paguajnë vetëm sigurimet shoqërore e shëndetësore, sepse ato nuk janë për shtetin, por për të siguruar pensionin shëndetin e gjithë secilit”, tha Rama.