Lista e kandidatëve për deputetë e krijuar nga kreu i PD Lulzim Basha për zgjedhjet e 25 prillit, pas Vlorës ka krijuar përplasjen e rradhës në Korçë.

Renditja në vendin e 7 të listës për deputet të ish-kryetarit të PD në Korçë Andrea Mano dhe ndarja e zonave elektorale, ka sjellë debate të ashpra në mbledhjen me kandidatët e Qarkut dhe strukturat, e thirrur nga drejtuesi politik i Qarkut Edmond Spaho.

Skema për të lënë në Korçë Ervin Salianjin, i cili në zgjedhjet e kaluara ishte deputet i Maliqit, duke përjashtuar kështu Andrea Manon, ka sjelle debate te ashpra mes këtyre të dyve.

Salianji ka kërkuar të mbulojë Korçën së bashku me Sorina Kotin, por Mano ka kundërshtuar me argumentin që përgjegjesia politike për rezultatin ishte e tij, që për 8 vite kishte drejtuar degën lokale të PD, pavarësisht se renditej i 7 në listën e kandidatëve.

Tonet e larta zëri dhe goditjet e tavolinës me grusht nga ana e Salianjit zgjatën për disa minuta, ndërsa Spaho u mundua të qetësojë gjakrat duke iu dhënë alternativa të tjera të ndarjes së zonave.

Burime brenda takimit, bëjnë me dije se demokratët e degës Korçë, kanë thënë se Basha i gënjeu strukturat kur tha që nuk do të përsëritej më gabimi i 2017 kur Mano u rendit i 5 dhe nuk mundi të merrte mandatin e deputetit.

Të njëjtat burime pohuan se drejtuesit e grupseksioneve vunë me shpatulla pas murit Spahon duke i kërkuar të renditej i 8 ashtu si bëri Peleshi, që zgjodhi te ishte i 6 në listën e PS.