Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka qenë i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla ku është pyetur lidhur me marrëdhëniet që ka me kryeministrin Edi Rama.

Xhafaj ka hedhur poshtë spekulimet dhe diversionet që herë pas here hidhen në media, duke nënvizuar se me shefin e qeverisë ka një raport korrekt.

“Është shumë e rëndësishme beteja që ne do të bëjmë në këtë proces zgjedhor dhe e rëndësishme se çfarë ne performojmë.
Çështja ku është ulur njëri apo tjetri nuk ka rëndësi se e përcakton vetë sistemi pasi listat janë të hapura. Mund të ketë dicka që nuk shkon në këtë histori por kjo nuk është thelbësore.
Çfarë nuk kanë thënë për mua, familjen tim, çfarë nuk kanë shpikur dhe sot janë të shokuar. Kjo është në kufijtë e hipokrizisë.
Nuk jam në politikë për të zënë një qoshe rehati dhe për të qenë një numër apo karton, jam për të shërbyer dhe për të mbrojtur kauza. Për të çuar përpara projekte, qëllime, ide, të cilat janë në shërbim të vendit, dhe këto nuk janë beteja të lehta dhe pa kosto. Bëj pjesë në rrethin e atyre politikanëve që kanë bërë jo pak beteja në politikë. Marrëdhënia me Ramën është një histori e gjatë njohjeje që nga dita kur ka shkelur në Ministrinë e Kulturës, ministër, kryetar bashkie, më pas në momentin që shfaqi ambicien për të qenë kryetar partie, kur erdhi si kryetar partie kam qenë në mbështetje të kandidaturës së tij, kam punuar ngushte me të gjatë 8 viteve të opozitës.

Më pas Rama shkoi Kryeministër i vendit, unë kryetar i çështjeve ligjore dhe komisionit të reformës në drejtësi, pas kësaj ai KM unë Ministër, nga ajo kohë ai është kryeministër, unë jam deputet, Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi pasur marrëdhënie pune të afërta, deri ditën që kam qënë MB. Unë u largova nga detyra e Ministrit të Brendshëm me vullnetin tim të lirë,. Këtu fillon e mbaron çdo gjë. Në këto dy vite marrëdhëniet tona kanë qenë ato të një km me një deputeti. Midis meje dhe Ramës ka shumë gjëra që na bashkojnë si pjesë e PS por edhe gjëra që na kanë ndarë në momente të caktuara. Unë me Ramën kam pasur në 2009, 2017, 2019 kam pasur debate në lidhje me listat e Partisë Socialiste dhe kjo është një gjë shumë normale në PS. Do ishte e pakuptueshme që të fliste vetëm ai dhe ne të tjerët të heshtnim. Nuk është në të mirën e demokracisë së brendshme. Unë bëj pjesë në njerëzit që sa herë kam menduar të them një gjë e kam thënë. ka qenë e parëndësishme nëse i ka pëlqyer apo jo zotit Rama. Në 2021 nuk kishte arsye për të bërë debat, nuk kam bërë kurrë debate për interesat e mija personale. Debatin e kam bërë për çështje parimore. Ka qenë një marrëdhënie e shëndetshme në funksion të forcimit të demokracisë së PS.
Me qindra telefonata kam marrë që kanë qenë të llojeve të ndryshme, kryesisht të kurajës për të vijuar këtë betejë. Nuk e kam ndërruar numrin e telefonit që nga `97, kam të njëjtin numër. E kam të thjeshtë të mbledh vota, mjafton të marrë 1/5 e votave të familjes që kam numra në celular”, u shpreh Xhafaj.