Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat e Prrenjasit, nga ku kërkoi mbështetje me votë në zgjedhjet e 25 prillit.
Në nisje të fjalës së tij, Balla e vuri theksin tek investimet e bëra në këtë zonë. “Çfarë kemi arritur të bëjmë deri më tani në Prrenjas? Është thjesht dhe vetëm fillimi i një procesi të madh transformimi të kësaj bashkie dhe të njësive administrative që e përbëjnë atë.
Ne do të vazhdojmë të investojmë ashtu sikurse kemi investuar në muajt e fundit me një ritëm që nuk është parë asnjëherë më parë. Ne përfunduam një pjesë të madhe të punimeve për furnizimin me ujë të pijshëm, duke investuar në Rrajcë plot 5.2 mln euro, për të gjithë sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Sa ç’investuam në Rrajcë për sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm është investuar në Rrajcë nga 2002 deri në 2017, sa ç’investuam në këtë zonë nuk është investuar as edhe në bashki shumë më të mëdha se sa njësia administrative Rrajcë. Po kështu po investojmë në Prrenjas, po kështu po investojmë në Qukës,”- u shpreh Balla.
Po ashtu, Balla shpalosi edhe disa nga pikat se çfarë do të bëjë qeveria Rama brenda vitit të parë të mandatit të tretë qeverisës.
“Unë sot dua t’ju them që brenda vitit tonë të parë, ne do t’i qëndrojmë angazhimit tonë por të mos harrojmë që duhet ta çojmë rrugën deri në Bardhaj e deri në Skëndërbe e padyshim që edhe Rashani meriton më shumë vëmendje nga ana jonë sepse është një zonë e cila ka shumë mundësi për tu zhvilluar. Ne do të vazhdojmë të investojmë në agroturizëm sepse mendojmë që djemtë e vajzat e Rrajcës, Qukësit, Stravajt duhet ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri. Jam shumë krenar që kemi filluar punën për spitalin e Prrenjasit. Do ta kisha shumë të vështirë të dilja para grave dhe vajzave të Prrenjasit nëse nuk do të kishte filluar puna për ta transformuar spitalin plotësisht,”- vijoi më tej Balla.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit Balla, u ndal tek punësimi i grave dhe vajzave për të cilën tha se duhet të jemi të gjithë kur bie fjala për punësimin, ne duhet të jemi të gjithë në të njëjtin krah, të punojmë të gjithë së bashku.
“Ne kemi filluar më në fund të kemi njësi prodhimi këtu në Prrenjas, ku janë punësuar një numër i konsiderueshëm grash e vajzash. Duhet të vazhdojmë të kemi më shumë akoma. T’ju them të drejtën këtu në Prrenjas teksa bashkinë ja kishim besuar një partie aleate, më ka bërë përshtypje lufta për të penguar nga ana e saj dhe nga e tyre investime të tilla, kallzime penale pse hapet fabrikë në Prrenjas, kallzim penal pse punësohen gratë në Prrenjas. Ne duhet të jemi të gjithë kur bie fjala për punësimin, ne duhet të jemi të gjithë në të njëjtin krah, të punojmë të gjithë së bashku se vetëm kështu mund të ndihmojmë të dalin nga varfëria familjet që janë në kushte të vështira. Ndihma ekonomike është një instrument për të lehtësuar efektet e varfërisë por nuk të nxjerr kurrë nga varfëria. Vetëm punësimi mund të na kthejë faqen dhe mund të na ndryshojë historinë në përballje me varfërinë,”- tha Balla.
Sipas Ballës qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama është ndër 5 qeveritë e para në botë që ka numër të barabartë mes grave ministre dhe burrave.
“Unë jam shumë krenar që Partia Socialiste u ka krijuar grave më shumë përfaqësim se kushdo parti tjetër. Ne në aspektin tonë organizativ kemi barazuar rolin mes burrave dhe grave dhe ndërkohë që në parlament apo në qeveri jemi ndër 5 qeveritë e para në botë që kemi numër të barabartë mes grave ministre dhe burrave. Nuk i duhet Shqipërisë në 2021 një kryeministër gjumash si puna e Lulit”,- tha në përfundim të fjalës së tij Balla.