Mbrëmjen e sotme në “Log.” Edi Rama ka akuzuar sërish presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha që ishin pas bllokimit të Rinasit. Ai ngriti pyetjen se përse Ilir Meta i priti në takim pak ditë më parë kontrollorët? Kryeministri tha se kishte informacion për planin e kontrollorëve.

“Si ndodhi që ne menjëherë ishim gati për të vendosur planin në veprim? Mjafton një inteligjencë natyrale për të njohur si funksionon mendja e Ilir Metës kur Hëna është përmbys dhe kjo periudhë Metës po i zgjat për një periudhë anomale. Përçapja që bën Ilir Meta me kontrollorët, se cfarë pune ka që i pret, se çka mes tij dhe kontrollorëve një leshko, leshko, pastaj Saliu dhe Meta e tha vetë; ishte vetë-shpallja e tij si njeriu…Nuk do i shiste aq kollaj, bëri një shitje dhe blerje që rezultoi as shitje as blerje” tha Rama.

Kreu i qeverisë ka përgënjeshtruar akuzat e opozitës se AlbControl në kohën që u ka shkurtuar pagat kontrollorëve ka bërë tendera me vlerë deri në 5 mln euro. “Nuk ka pasur tendera dhe investime, por mirëmbajtje dhe mirëmbajtja në AlbControl është jetike. Këto janë të gjitha dokrra. Ka njohur një transformim spektakolar kur është hequr nga kthetrat e leshkove” tha ai.

Gjatë bisedës, Edi Rama tha se të gjithë kanë stres në punën e tyre, ku përfshiu edhe veten e tij.
“Po pse unë nuk kam stres, po ca do të dalë të ankohem më rrisni rrogën? Nuk kemi bërë asnjë rritje rroge për qeverinë që kur kam ardhur. Ka një arsye kjo, plus kësaj, në periudhën e parë përgjysmuam rrogat e deputetëve kur ishim në ato kushtet e vështira.

Po pse stres nuk kanë ata që rrinë atje në dogana dhe pika kufitare, apo në shërbime pa fund? Po këta janë në kullë, cfarë stresi kanë, stresi është i barabartë me atë që kanë marrë përsipër, është i mitiguar me një rrogë shumë të madhe. Ne ishim menduar për më të keqen. Ne kemi qartësisht atë arsyen për të qenë të përgatitur” tha Rama.