Kryeministri Edi Rama gjendet në Durrës mbrëmjen e sotme, ku dhe mori pjesë në prezantimin e Masterplanit të transformimit të Portit të këtij qyteti, në atë që quhet Marina e Jahteve.
Të pranishëm në prezantim ishin dhe përfaqësues nga Emaar Group, kompania që ka marrë përsipër transformimin e portit të Durrësit, një prej kompanive më të mëdha të botës, me vepra ikona të turizmit në botë, siç janë Burj Khalifa apo Dubai Opera. Kujtojmë këtu që ky është investimi më i madh i jashtëm në historinë e Shqipërisë, me një vlerë prej 2 miliardë eurosh.
Në nëntor të vitit të shkuar, qeveria shqiptare dakordësoi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për tranformimin e hapësirës portuale të Portit të Durrësit, një investim i cili pritet të transformojë totalisht pamjen dhe kapacitetin e këtij porti, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe kombëtare. Marina turistike e parashikuar, pritet të ketë hapësirë dhe kapacitete dyfish më të mëdha, krahasuar me marinën më prestigjoze në mesdhe deri më tani, që është ajo e Porto Montenegros.
Porti i ri pritet të ketë infrastrukturë të përmirësuar për ankorimin e mjeteve lundruese, çka do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend.
Kompania Emaar, përveç transformimit të hapësirës portuale, synon një mori investimesh transformuese, duke përfshirë rindërtimin e pjesës së bregut të detit, ku do të ndërtohen dhe ambiente argëtuese, qendra tregtare, apartamente e ndërtime hotelerie me 5 yje.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh se ky projekt ka dy kolona të rëndësishmë, njëra prej të cilave është dhe ndërtimi i Portit të ri të mallrave të Durrësit në zonën e Porto Romanos, me të gjitha parametrat e kërkuara nga Bashkimi Europian, investim që do të mbulohet nga Ministria e Infrastrukturës.
Sipërmarrësi Mohammed Alabbar u shpreh falenderues për mundësinë që i është dhënë për të ndërtuar diçka në Shqipëri. Alabbar deklaroi se përgjatë ekpseriencës së tij 25 vjeçare ka bërë mjaft gabime të vlefshme, të cilat do ta ndihmojnë që ky investim të bëhet me shumë dashuri dhe kujdes.
Kryeministri Rama tha se transformimi i portit të Durrësit ka qenë një ëndërr e kahershme, por se asnjëherë nuk është guzuar të shkohet deri në pikën që të mendohet se mund të ndërtohet porti më i madh turistik i Mesdheut. Rama deklaroi se videoja e prezantuar është vetëm kartolina e një projekti, i cili po punohet nga një skuadër e tërë dhe që është gati të nisë me fazën e parë. Sipas tij, sot është dita kur kalohet nga ëndrra në realitet, pasi ka një projekt dhe ka një afat.
Kryeministri tha se kjo është vetëm njëra prej portave që do të hapen në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje dhe investimet që do të nisin në portin e Vlorës, në atë të Sarandës dhe të Shëngjinit. Rama përmendi gjithashtu disa prej investimeve më të rëndësishme në fushën e energjitikës, që në sajë të bashkëpunimit me investitorë të huaj zgjerojnë potencialin e Shqipërisë në sektorë të ndryshëm. Këtu Kryeministri përmendi Parqet fotovoltaike të Karavastasë dhe të Spitallës, konvertimin e TEC-it të Vlorës, mundësuar nga Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Shqipërisë e SHBA, si dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës nëpërmjet kompanisë ‘Betchel International’, falë edhe mbështetjes së qeverisë amerikane.