Nga Ylli Pata
Ilir Meta, mediat pranë tij, por edhe njerëzit e tij në rrjetet sociale, kanë përsëritur sot gjithë ditën se nesër qytetarët “mund të arrestojnë këdo që e shohin të arsyeshme”.

Ishte Ilir Meta i pari që e shpalli këtë në konferencat e shtypit dhe më pas është shpërndarë në rrjetet e mediat e tij, duke dhënë një cungim të Kodit të Procedurës Penale, që sipas tyre, edhe qytetarët mund të bëjnë arreste në flagrancë.

Kjo është një logjikë totalisht pa kuptim, pasi ata që mund të kryejnë ndjekje penale dhe ekzekutim janë vetëm organet e drejtësisë.

Policia e Shtetit, vetëm shoqëron dhe ndalon.

Sipas Metës, ligji u njeh të drejtën qytetarëve të arrestojnë në flagrancë vetë këdo që kryen një krim zgjedhor.

Presidenti thekson se pas zgjedhjeve nuk do të hetohen vetëm të tëra krimet zgjedhore, por në veçanti do të hetohet mos-hetimi i krimeve zgjedhore dhe policore para datës së zgjedhjeve.

Ai thotë se nuk ka asnjë sekondë për të humbur për dekurajimin dhe parandalimin e krimeve të tjera.

Meta i referohet nenit 151 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe citon “juristin e famshëm” që ka mbytur panelet prej vitesh, Adriatik Lapaj.

Neni 151 është shumë i qartë dhe s’lë asnjë vend për dyshim.

Nuk mundet që asnjë njeri, përveç strukturave të policies, të bëjnë një ndalim apo arrestim.

Neni 151 flet për raste të rënda, kur një qytetar apo grup qytetarësh ndalojnë një vrasje apo grabitje dhe thërrasin policinë.

Megjithatë thirrja është e qartë që të riaktivizohet plani i paramilitarëve “të ruajtjes së votës”, por sot ka një taktikë paksa më të ndryshme, ku po flet vetëm Ilir Meta dhe hesht Lulzim Basha.

Meta, sipas gjasave, do të miratojë edhe një dekret që t’i quajë të ligjshme forcat paramilitare që do të qarkullojnë nesër, dhe të jenë si “Policia e presidentit”.

Në mënyrë që çdo përplasje me Policinë dhe forcat e ligjit të krijojnë një përplasje institucionale…

Çdo dekret i presidentit në këtë rast është nul, ngaqë nuk është detyrë e tij të nxjerrë dekrete ekzekutive, kompetencat e presidentit janë të përcaktuara.

Por tashmë nuk është më debat juridik, është thjesht një tentativë për të prishur zgjedhjet e destabilizuar vendin…