Luljeta Bozo e ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare Tv foli për rëndësinë e ndërtimit të shtetit. Zonja Bozo përmendi rastin e fundit të bllokimit të fluturimeve në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend Nënë Tereza dhe zgjidhjen e situatës brenda 24 orëve. Po kështu numri një i kandidatëve të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, tha se menaxhimi i dy krizave më të mëdha në vend të viteve të fundit, tregojnë se Shqipëria sot është një shtet.
“Shqipëria është shtet. Si ka mundësi që 60 kontrollorë të bllokojnë hapësirën ajrore të Shqipërisë? Kjo nuk ndodh kurrë. Edhe në botë ka ndodhur shumë rrallë. Ti ke të drejtë të komandosh uljet apo ngritjet e avionëve pa ndodhur aksidentet ajrore, prandaj të paguajnë edhe aq shumë. Si mund të bllokosh hapësirën ajrore të Shqipërisë? Ti bllokon edhe linjat e tjera. Fakti që për 24 orë iu dha zgjidhje kësaj situate, do të thotë që kemi shtet. Sot që në mëngjes avionët që kishin emergjencë që lidhen me shëndetin, sëmundjet, me marrëdhëniet diplomatike, kanë funksionuar dhe nesër fillojnë fluturimet normale sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ky ishte një sukses i shtetit. Kujtojmë edhe ngjarjen e tmerrshme të 26 nëntorit, ku brenda 24 orëve njerëzit u futën nëpër çadra dhe nuk la asnjë njeri nëpër rrugë.
Luljeta Bozo: Edi Rama ka dhënë provat se çfarë premton e bën!
U bëri thirrje emergjencave për të nxjerrë të gjallë njerëz nga rrënojat. Mbi të gjitha mori përsipër një gjë që nuk e ka marrë asnjë shtet që ka fuqi më të madhe se ne si Italia apo Greqia, që arriti që një pjesë e mirë e njerëzve të futen në shtëpia pa harxhuar asnjë lek personi që është prekur nga tërmeti. Atyre iu shkatërrua shtëpia sepse ose ishte shumë e vjetër ose e ndërtoi pa asnjë rregull. Nuk mori as projekt, as inxhinier e ndërtoi vetë. Shteti mori përsipër që të gjithë të futen në shtëpia të reja pavarësisht kësaj. Dhe unë jam besimplotë që pranverën e ardhshme të gjithë do të futen në shtëpi të reja, që atyre as që ua ka marrë mendja. Pastaj erdhi pandemia. Këtu te ne u përballua mjaft mirë. Humbje kemi pasur goxha, por po ta krahasosh me vendet e tjera kemi patur kontroll të situatës. Jemi të parët sa u përket vaksinimit të popullsisë dhe janë të dhëna që i ka nxjerrë bota jo ne”, tha Bozo.