Deklaratave të vazhdueshme të përfaqësuesve të opozitës por edhe Presidentit të Republikës për blerje votash nga ana e mazhorancës, Kryeministri Rama zgjodhi t’i përgjigjet me ironi. Shprehjen e Metës se “do i pres dorën atij që blen votën”, Rama e konsideroi si nivel komunikimi që ka nevojë për psikiatër.
“Presidenti i Republikës nuk mbron asgjë vetëm të rrijë në zyrë dhe të lërë forcat politike të bëjnë punën. Jemi në një nivel komunikimi që kërkon psikiatër. Ambasadorja ka thënë një gjë që e dinë të gjithë, me të cilën jam 100% dakord dhe ka thënë një gjë që është mbështetur edhe nga kleri katolik e mysliman, lidhur me shit-blerjen e votës. Përpara pak ditësh, patëm një fakt dhe nuk më rezulton se ai që u arrestua me lekë dhe fletë votimi të ishte me partinë tonë.
Ai ishte me partinë e Ilir Metës dhe nuk e pashë Ilir Metën të marrë shpatën, të nisej për në Pukë dhe t’i priste duart. Unë Damianit i them prapë, tërmet do ta bëjmë Vlorën.
Në Dibër janë arrestuar 20 komisionerë, por shumica e tyre ishin të këtyre forcave që bërtasin dhe bëjnë rolin e virgjëreshave që mbrojnë shqiptarët nga prostitucioni elektoral. Shprehja “bërtet hajduti, kapni hajdutin”, i qëndron në sinkron vetëm Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit”, tha mbrëmë Rama në Vizion+.