Një lajm i mirë vjen tani nga seanca stërvitore e kësaj të enjteje në mëngjes nga Barcelona. Gerard Piqué ka punuar me grupin, duke dhënë sinjale të qarta se mund të luajë kundër Real Madridit, në “El Clasico” e fundjavës, tepër vendimtare për titullin në La Liga. Sidoqoftë, mungesa kryesore ishte ajo e Griezmann, për arsye personale.

Tani për tani, qendërmbrojtësi shtatlartë po ushtrohet me shokët e tij të skuadrës, me ngarkesë të plotë. Edhe dje, ai shkoi në “Ciudad Deportiva”, përkundër faktit që skuadra e kishte ditë pushimi, ku vijoi me planin riaftësues. Sot është dita vendimtare për të ditur nëse ai do të jetë apo jo në klasiken e madhe të futbollit spanjoll. Sapo të përfundojë trajnimi, të gjitha palët e përfshira; trajneri, lojtari dhe stafi mjekësor, do të vendosin.

Piqué prej ditësh e synon ndeshjen kundër Real Madridit. Jo aq për shkak të emrit të rivalit, por sepse dëshiron ta ndihmojë ekipin e tij në këtë pjesë të fundit të sezonit. Duhet të mbahet mend se Koeman e bëri shumë të qartë javën e kaluar se nuk është në favor të ndërmarrjes së rreziqeve me asnjë lojtar. Për këtë arsye, Piqué do të jetë në “Valdebebas” vetëm nëse shërohet plotësisht nga shqetësimi në gju.