Kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme në takim me gra dhe vajza të Partisë Socialiste se ftesa për Lulzim Bashën nuk është për të bërë qeverinë bashkë nga halli por një domosdoshmëri për të nxjerrë vendin nga tuneli, pasi sipas tij situata politike në vend është kthyer në minë me sahat.
Rama u shpreh i bindur se pas 25 Prillit, socialistët nuk do kenë nevojë për koalicion dhe as për të marrë deputetë nga forcat e tjera politike pasi do të marrin shumicën.
“E keni dëgjuar zhurmën për bashkëpunimin me Lulzim Bashën dhe PD. Natyrisht, mënyra si komentohet është e njëjta, me botoks ose zhgarravina. Sot nëse ka këtu në këtë vend që mund ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë deri në fund atë që unë them janë veshët e nënave që kanë shqetësimin se çfarë do bëjë më shumë Edi Rama dhe PS për ne, për shtëpinë tone.
Dhe si do bëhen të gjitha këto se të bukura duken, por si do bëhen me këtë politikë që është mina me sahat që plas ndërsa ne duam të ecim përpara. Thirrja për t’u bashkuar dhe vetëdija ime se bashkimi është domosdoshmëri, bindja ime se dalja nga tuneli i pandemisë për ta bërë diellin për të gjithë, nuk është thirrje për të bërë një qeveri bashkë siç bëri Saliu me Liken nga halli kur nuk kishte votat apo siç janë bashkuar partitë për interesa. Ne nuk kemi nevojë dhe nuk do kërkojmë vota nga të tjerë sepse më 25 prill do marrin shumicën e votave.
Por është thirrje për ta bërë politikën që t’i ngjajë shqiptarëve përballë tërmetit dhe pandemisë. Shqiptarët në ato faza i bashkoi ajo që e vuanin njësoj nga brenda. Politika duhet të bëjë që bashkimi të mos vijë nga halli, por nga detyrimi ndaj njerëzve për ta bërë politikën një hapësirë ku njerëzit të mos kenë frikë të hyjnë. Një hapësirë ku shumë Ogerta, Etilda, Elisa, Bora, Edona të mos kenë frikë të hyjnë”, tha Rama.