Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të diel me një video-mesazh për elektoratin gri. Duke publikuar mesazhin e kryesueses së listës së PS në Shkodër, Edona Bilali, e cila sqaron sipas saj, pse duhet votuar Partia Socialiste më 25 prill, Rama thotë se ky mesazh është aktual dhe i vërtetë sa për Shkodrën dhe për të gjithë Shqipërinë.
“Mirëmëngjesi, kush i thotë vetes gri e s’di për kë të votojë, le ta shikojë këtë njëherë dhe ta mendojë! Jo vetëm në Shkodër, po në krejt Shqipërinë. Ditë të mbarë”, shkruan Rama. Me mesazhin e publikuar thuhet se çdo njeri nuk ka pse të jetë kundër diçkaje nga kokëfortësia, të harrojë tifozllëkun dhe të shikojë atë që jetesën e tij e bën shumë herë më të mirë.
“Unë jam kundër, gjithmonë kundër, anti-sistem. Jena shkodranë, nuk na duan, nuk ia vlen, veç ai, veç ato mos ta marrin, kokëfortësi. Gjithmonë kundër, po për Shkodrën, po për Shkodrën a ke dashni? Shiko pragun ku ke lerë, si do të jetë mot? Mjaft mendove për të tjerë, e zeza t’zot. Tifozllëkun, indiferencën, largoji njëherë. E duam Shkodrën lacen më fort. Voto me nder” thuhet në video mesazh.