Nga Artur Ajazi/ “Lulzim Basha nuk është ai që duket, është një diktator i kamufluar, 100 herë më i keq se Rama”.Kështu më ka thënë vite më parë një eksponent i Partisë Demokratike, ish-drejtor i madh në qeverisjen e asaj partie. Dhe këtë e ka deklaruar para zgjedhjeve të 2017. Por PD i humbi ato zgjedhjet, ka humbur edhe 4 palë zgjedhje të tjera, dhe ja sot, Lulzimi kërkon me ngulm të mbetet sërish kryetar partie. Dorëheqjen si institucion, nuk e njohin vetëm diktatorët.
Turi i Lulzimit në qytetet e vendit për ti mbushur mëndjen atyre të bazës se “ne humbëm se na vodhën votat, por do të nisin sërish betejën”, mbetet reagimi imponues i një njeriu që po e mban me pahir postin e pamerituar. Lulzimi e shfaqi marazin dhe dobësinë e tij dukshëm në fushatën e zgjedhjeve të fundit. Slogani bosh i fushatës së opozitës “Bashkë për ndryshim, Shqipëria fiton”nuk përcaktonte qartë asnjë nga dimensionet kryesore të debatit politik,si demokracia, korrupsioni apo zhvillimi ekonomik. Fushata e PD-së jo vetëm nuk ishte e qartë, por ishte dhe kontradiktore, falë drejtimit kaotik nga Lulzim Basha.
Ai u mundua t’i bindë shqiptarët se “vetëm ne sjellim ndryshimin”, me po të njëjtat fytyra që i kanë lodhur ata përgjatë tranzicionit të stërgjatë si, Berisha, Kryemadhi, Mediu, Shehi, Dule apo Idrizi. Po të analizosh fushatën e Lulzimit natyrshëm lind pyetja,“pse opozita nuk identifikoi qartë një program antikorrupsioni, demokracie apo zhvillimi, për ti bindur shqiptarët ? Pse në çdo rast Lulzimi nuk arriti të krijonte frymë dhe besim ? Mendoj se përgjigja është e thjeshtë, nuk e bëri sepse nuk ka aftësi të tërheqë shumicën e shqiptarëve në asnjërin prej alternativave shterpa që ai prezantoi.
Kjo për faktin se edhe me tezën e “antikorrupsionit”, ai nuk arriti të bindë shqiptarët të cilët janë të ndërgjegjshëm se skandalet e qeverisjes Berisha-Basha 2005-2013 tejkalojnë çdo pretendim të opozitës sot. Ndërkohë ka ndodhur që edhe gjatë fushatës, opozita dhe “kritizerët” e saj, të denoncojnë Ramën si “diktator”, por harrojnë se në qeverisjen e tij, nuk është burgosur dhe vrarë asnjë opozitar në protesta siç ka ndodhur në qeverisjen e Berisha-Meta-Basha. Madje opozita vrau me strukturat e saj paramilitare, një qytetar të thjeshtë ditët e fundit të fushatës, duke treguar natyrën dhe tendencën e saj diktatoriale. Egërsia e strukturave të Partisë Demokratike, buron nga frymëzimi i kryetarit Basha.
Mjafton të kujtojmë thirrjet e tij nga “çadra e lirisë” për “thyerje xhamash, shkatërrim makinash, zyrash” etj.. për tu bindur se Lulzimi nuk është ai që duket, “çun i mirë, djalë i qeshur”.Vrasja e Pjerin Xhuvanit nga strukturat paramilitare në Elbasan, apo thirrja për dhunë e kandidatëve si Xhelal Mziu, dhe mungesa e reagimit nga vetë PD-ja, treguan të kundërtën, dhe se u mbushën mëndjen shqiptarëve se “Luli nuk mund të sillte normalitet në politikën shqiptare”. PD-ja nuk fitoi më shumë vota se PS-ja sepse i mungonte fryma, besimi, lideri, dhe dimensioni i qeverisjes së vendit.
Një parti politike që ka tetë vite që si argument kryesor ka përrallën “Rama na vjedh votat”, e ka shumë të vështirë të bindë shumicën e shqiptarëve ta votojnë. Oriental në mentalitet, forma dhe përmbajtja e Lulzimit si politikan, mbetet më tepër me prirje diktatori se demokrati.Kokëfortësia për të qëndruar përjetësisht kryetar partie, flasin për ngjashmëri të madhe mes tij dhe “babait politik”. Pas 13 Qershorit, Lulzim Basha është zotuar ta shtojë në qindra listën e madhe të “armiqve” të partisë, për ti hapur udhën mbretërimit të qetë edhe për 4 vjet të tjera si kryetar PD-je.