Lulzim Basha nuk thotë asnjë fjalë rreth ftesës për debat televiziv e publik, që i kanë bërë kandidatët për Kryetar të PD, në garën e brendshme të 13 qershorit.

Fatbardh Kadilli e përsërit gati çdo ditë ftesën, por Lulzim Basha hesht. Edith Harxhi po ashtu, por Lulzim Basha hesht. Edhe të gjithë kundërshtarët e tij të tjerë të lëvizjes “Për PD” e kërkojnë sistematikisht, por Lulzim Basha i shmanget “si djalli temjanit”, ballafaqimit publik me ta.

Kjo është një histori që përsëritet në formë komike tashmë, pasi versionin tjetër të kësaj shfaqje e kemi parë përpara 25 prillit. E mbani mend besoj, kur Lulzim Basha i kërkonte Edi Ramës pas çdo fjalimi e pas çdo dalje televizive, vetëm një gjë: Dua debat publik. E dua tani. Të pres deri të dielën e votimit. Këtu me ke. Pse nuk del? Kur do e bëjmë debatin publik? Pse ke frikë?

Edhe pse tradita e përballjeve elektorale në 30 vitet e post komunizmit në Shqipëri, nuk kanë njohur asnjë debat mes Kryeministrit dhe kandidatit të opozitës për Kryeministër, Lulzim Basha e donte atë me Edi Ramën. Edhe pse Lulzim Basha kishte refuzuar prej 4 vjetësh të fliste me Edi Ramën, ti përgjigjej ftesave të tij të përsëritura publike, apo edhe letrave kur i shkruante çdo ditë përpara zgjedhjeve të 2019, ai sërisht bënte sikur këmbëngulte e këmbëngulte.

Por tani që kandidatët në garën për kreun e PD ia kërkojnë Lulzim Bashës, ai vetëm hesht. Vetëm i shmanget. Bën sikur nuk i dëgjon. Sikur nuk i sheh. Sikur nuk kupton. Sepse ky është Lulzim Basha. Këta janë liderët e opozitës sonë. Këta janë edhe kundërshtarët direktë politikë të Edi Ramës në Shqipëri. Ata kërkojnë çdo gjë nga Kryeministri, por vetë nuk i bëjnë, madje as ato për të cilat këmbëngulin aq shumë.

Nuk është vetëm Lulzim Basha që e ka këtë sjellje në raport me Edi Ramën. E ka edhe Ilir Meta. E ka edhe Kryetari i Shtetit kur në zyrën e qytetarit Nr. 1 të vendit, bën fushatë elektorale për partinë e tij familjare. E atëherë, edhe ai ashtu si Lulzim Basha, i kërkonte debat televiziv Edi Ramës. Kërkonte ballafaqim publik me Edi Ramën. A thua se në 25 prill po konkuronte Kryeministri me Presidentin dhe jo mazhoranca me opozitën!

Por kur erdhi puna këto ditë që Ilir Meta të bënte një ballafaqim, të detyrueshëm madje nga procedura Parlamentare në komisionin hetimor të ngritur për shkarkimin e tij, ai u shmang. Nuk shkoi. Nxorri njëmijë e një justifikime. Tha se do shkonte kur të donte ai, e meqë deputetët nuk e thirrën atëherë por në ditën e caktuar prej tyre, Presidenti refuzoi. E nuk do të shkojë më kurrë.

Sepse si Lulzim Basha, si Ilir Meta janë pjesë e të njëjtës shkollë politike. Janë pjesë e të njëjtës kulturë politike. Janë pjesë e të njëjtës filozofi. Janë pjesë e të njëjtit mentalitet. Gjithë opozitarët duan ballafaqim vetëm me Edi Ramën, jo se do fitojnë përballë tij, por sepse bëjnë thjeshtë show për show.

Kur vjen puna tek ballafaqimi i vërtetë me të, tek përballja e vërtetë me të përpara kutisë së votimit, Edi Rama i ka mundur edhe më 2013, edhe më 2015, edhe më 2017, edhe më 2019, edhe më 2021. E po vijuan me këtë mentalitet prej fëmijësh të parritur politikë, Edi Rama do ti mundi përsëris, edhe më 2025. Sepse që të ballafaqohesh e ta mundësh kundërshtarin tënd Nr. 1 në politikë, duhet fillimisht që të ballafaqohesh me veten, me njerëzit e tu brenda partisë, me të vërtetën dhe me të gjitha detyrimet e tjera institucionale.

Alpenews.al