Nga Armand Kullau
Shqipëria doli fitimtare nga zgjedhjet e 25 Prillit pasi populli i dha një përgjigje politikës për sa i përket traditave negative si rrotacioni apo konflikti politik të cilat janë manovra politike që mbajnë peng vendin. Shqipëria tregoi se për politikën kanë marrë fund ditët e teatrit politik ku çmimin e paguante populli dhe fitimin e merrnin partitë sepse shqiptarët kërkojnë në mënyrë të padiskutueshme një vend në familjen europiane dhe përgjegjësia e dështimit do të bjerë mbi të gjithë, mbi Edi Ramën, mbi Lulzim Bashën dhe mbi Ilir Metën. Kryedemokrati nuk i ka njohur zgjedhjet dhe ka bërë deklarata të cilat na tregojnë se do i rikthehet avazit të vjetër, të ankohet dhe të ulërasi nga foltorja e parlamentit megjithëse Kryeministri i ka bërë një ftesë për bashkëpunim politik. Gjithsesi të dy kanë kohë që përjetojnë një romancë vëllazërore dhe kjo gjë nuk po e ndihmon Shqipërinë e post rrotacionit sepse po e kthen në komunikimin e përhershëm politik konfliktual i cili nuk ka asnjë rezultat dhe minon të ardhmen e vendit.
Lulzim Basha e pengon integrimin e Shqipërisë me refuzimin për bashkëpunim dhe për këtë i ka dhënë “ndihmë” dhe Edi Rama i cili me sjelljen dhe deklaratat e tij na forcon dyshimet se Basha është protégé-ja e tij. Kryeministri e ndihmon Bashën me “hipokrizinë” për ftesën duke rikrijuar një skenë teatrale ku ai dhe Kryedemokrati janë fryma perëndimore përparimtare e cila mbahet peng nga e shkuara dhe e tashmja e Partisë Demokratike, Zoti Sali Berisha. Zoti Basha e ka përdorur mjaftueshëm figurën e Doktorit si në komunikimin politik, si në sjellje por edhe duke u fshehur pas tij sa herë që humbet zgjedhjet. Zgjedhjet nuk i humbi sepse ia mori Edi Rama apo e pengoi Doktori por sepse shqiptarët zgjodhën rezultatin përballë inflacionit të premtimeve të tija elektorale që nuk krijonin frymën e besimit dhe të ndryshimit. E kuptojmë që Basha mendon se është vjedhur nga Partia Socialiste por nëse ai vërtet ka një program politik fitues atëhere ai e di mirë se çfarëdo lloj kryevepre urbanistike apo ekonomike të realizojë Edi Rama përgjatë këtyre katër viteve, njerëzit do të kërkojnë ndryshimin përsëri sepse politika është kthyer në konsum dhe konsumatori kërkon risi. Nëse ai vërtet aspiron të bëhet Kryeministër, ai duhet të bashkëpunojë me Kryeministrin duke treguar se ai pranon ftesa, ai normalizohet me nivelin e egos së tij politike dhe se ai është ndër të vetmit që bën sakrifica për vendin e vet.
Sot Lulzim Basha ka mundësinë të rikrijojë programin e Partisë Demokratike për të ardhur në pushtet dhe të reflektojë një identitet politik europian i cili i mungon partisë, i mungon shqiptarëve, i mungon Shqipërisë, identitet të cilin e kërkon dhe Bashkimi Europian si shenjë e pjekurisë politike dhe demokratike e partisë që ai përfaqëson.Ai duhet të distancohet nga hija e Edi Ramës jo duke qendruar pas tij por në krahë të Kryeministrit duke treguar barazi politike. Ai duhet ti qendrojë në krah atij sepse edhe nëse kemi një kurth politik prej Ramës, ai tashmë e di më mirë nga të gjithë se si Rama i përdor bashkëpunimet politike dhe e di se si të dalë i fituar këtë herë duke u treguar shqiptarëve se kush është bashkëpunuesi dhe kush është manipuluesi i kësaj epoke të re në politikën shqiptare. Basha do rikthehet në parlament duke sjellë çeljen e negociatave për në Bashkimin Europian dhe nuk ka pse të kufizohet prej pasojave që do sjellë bashkëpunimi politik në elektoratin e PD-së. Shqiptarët sot duan standarte ekonomike europiane dhe kur të shohin frytet e bashkëpunimit, sado ta simpatizojnë Edi Ramën ata do zgjedhin Bashën sepse ai solli risinë politike dhe risia është cilësia që ai lakmon më shumë në personin e tij politik, cilësi e domosdoshme në politikën e amerikanizuar shqiptare.
Nëse Basha nuk ka garanci nga personazhi politik i Kryesocialistit, ai duhet të ulet në takim sëbashku me Kryeministrin dhe përfaqësitë e huaja duke finalizuar një marrëveshje transparente për publikun, duke na treguar se marrëveshjet nuk kanë në thelb pushtetin politik të Zotit Basha apo të Zotit Rama por kanë përfaqësimin politik të popullit në parlament dhe integrimin tonë në BE. Kjo marrëveshje do të jetë një goditje elektorale për atë që do e shkeli dhe populli ka treguar se i dallon plangprishësit duke i ndëshkuar me votë. Populli shqiptar i sheh me skepticizëm partitë politike kur vjen fjala tek marrëveshjet politike sepse ato asnjëherë nuk kanë sjellë përmirësime përveç viti 1997. Zoti Basha duhet të thyejë traditën! Kryeministri nuk është i vetmi politikan në Shqipëri që di të bëjë risi por politika ridimensionohet kur ka njerëz që marrin flamurin e guximit dhe bëjnë veprime politike frytdhënëse të cilat shpeshherë janë radikale. Ai duhet të dalë nga zona e sigurisë dhe të lër gjurmën e tij politike në Shqipëri. Ai është përfaqësuesi i 622 mijë votave dhe ka marrë përsipër ëndrrat dhe dëshirat e tyre dhe këta 622 mijë nuk janë shumë të ndryshëm nga ata 778 mijë të cilët votuan Edi Ramën. Të gjithë shqiptarët duan Shqipërinë Europiane, duan Shqipërinë e sigurt nga rendi, nga ekonomia, por mbi të gjitha duan Shqipërinë e sigurt nga Drejtësia.
Zgjidhni transparencën Zoti Basha si tiparin tuaj politik sepse askush tjetër nuk mund ta bëjë më mirë se ju pasi ju keni qënë opozitari më i paqartë përgjatë këtyre viteve dhe ju e dini se ku keni gabuar me shqiptarët dhe me Shqipërinë. Zgjidhni Shqipërinë! Mos zgjidhni Partinë, mos zgjidhni Edi Ramën, mos zgjidhni marrëveshjet politike në kurriz të shqiptarëve. Tani është koha e reformimit të PD-së dhe kjo fillon duke u treguar shqiptarëve që ju nuk jeni parti radikale por parti liberale, ju nuk jeni parti uzurpatorësh por parti dëshmorësh, ju nuk jeni parti e militantëve por parti e shqiptarëve dhe mbi të gjitha kjo parti përfaqëson zërin e më të dobëtit dhe jo interesin e më të fortit. Rikthejeni vendit Partinë Demokratike duke i rikthyer besimin shqiptarëve tek demokracia dhe tek romanca e munguar me Europën pasi Partia Demokratike e fortë është garancia se Edi Rama do mbajë premtimet që u ka bërë shqiptarëve.