Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e ka quajtur një dëshmi suksesi operacionin e përbashkët të autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë për kapjen e 400 kg kokainë në Lipjan ditën e sotme.
Çuçi shprehet se hetimi profesional dhe intensiv mes disa shteteve çoi në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm në fushën e narkotikëve.
“Goditja e kontrolluar e grupit kriminal që tentoi të trafikonte rreth 400 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Kosovë, është një tjetër dëshmi e suksesit të luftës së përbashkët kundër trafikut të drogës dhe provë e besimit të lartë të partnerëve te Policia e Shtetit.
Hetimi profesional dhe intensiv mes disa shteteve na çoi në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm në fushën e narkotikëve. Kjo është një luftë e vazhdueshme, që do të pasohet nga operacione të tjera dhe goditje si kjo e fundit, për ta bërë Shqipërinë dhe rajonin një vend më të sigurt”, shkruan Çuçi.