Partia Socialiste ka fituar në të gjithë kutitë në Tiranë ku kanë votuar liderët e politikës shqiptare me përjashtim të zonës ku votoi kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
ABC ka bërë një vëzhgim në çdo kuti ku ka votuar kryeministri Rama, kreu i opozitës Basha, kreu i shtetit Meta, kryetarja e LSI, Kryemadhi, kreu i Bashkisë, Erion Veliaj dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Edi Rama dhe Lulzim Basha betejën në 25 prill e nisën nga qendrat e tyre të votimit ku krahas betejës personale kërkuan edhe votë mbështetëse nga shqiptarët.
ABC ka bërë një vëzhgim në qendrat e votimit ku kanë votuar liderët e politikës shqiptare. Edi Rama ja ka dalë të bind bashkëfshatarët e tij në Surrel për ta mbështetur me votë ditën e zgjedhjeve. Kryeministri votoi në shkollën e Surrelit në njësinë Dajt.
Në përfundim të numërimit, në njësinë e tij të votimit Rama ka marrë 313 vota, ndërkohë që 151 fqinj të tij kanë votuar për 2 partitë e opozitës, 126 për PD dhe 25 për LSI.
Lulzim Basha ja ka dalë të fitojë në njësinë 8 por edhe në qendrën e tij të votimit. Kreu i demokratëve votoi në njësinë 8 të dielën e 25 prillit në qendrën e votimit 1929, ku në përfundim të numërimit PD ka marrë 234 vota, PS 182 vota dhe LSI 24 vota.
Monika Kryemadhi krahas humbjes së 15 mandateve në të gjithë vendin krahasuar me 2017, ka humbur edhe në njësinë 5 në qendrën e votimit 1817 ku krahas kryetares së LSI, në të njëjtën qendër votoi edhe Presidenti Meta. Në këtë qendër votimi ka fituar PS me 126 vota, PD 89 vota dhe LSI ka marrë vetëm 18 vota.
PD ka pësuar humbje edhe në qendrën e votimit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ish-kryeministri votoi në shkollën Kosova në 25 prill në qendrën e votimit 1728 ku rezulton që PS të ketë marrë 127 vota, PD 114 vota dhe LSI 14 vota.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka marrë mbështetjen e socialistëve në Farkë, në qendrën e tij të votimit 2084. Në këtë qendër PS ka m arrë 386 vota, PD 224 dhe LSI 26 vota.
Për herë të parë në Tiranë votoi edhe një kryeministër në Kosovë. Albin Kurti si shtetas shqiptar votoi në njësinë 5 në kryeqytet në qendrën e votimit 1818. Edhe në këtë qendër fituese ka dalë PS me 201 vota ndërkohë PD ka marrë 109 vota, LSI 39 vota dhe kandidati i vetëvendosjes Bojken Abazi 6 vota!