Selia blu njofton se Lulzim Basha u takua ditën e sotme me ministrat e jashtëm të Austrisë, Çekisë dhe Sllovenisë, vend i cili merr dhe presidencen e radhës së BE me 1 Korrik.

Sipas një njoftimi të servirur nga PD për mediat, thuhet se, Basha i siguroi ministrat se do të bëjë gjithçka mundet në kapacitetin e tij për procesin e integrimit, si interesi më i madh kombëtar për vendin dhe për të përmirësuar jetën dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.

Në qendër të diskutimit të këtij takimi, sipas selisë blu ishin dhe procesi zgjedhor i 25 prillit 2021 dhe shqetësimet e opozites në lidhje me tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve.

“Në këto zgjedhje qeveria përdori të gjithë mekanizmat, që nga administrata dhe fondet publike, tek personat e inkriminuar dhe paratë e krimit dhe korrupsionit për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve. Viktima e kësaj masakre zgjedhore janë fatkeqësisht qytetarët shqiptarë të cilët duan ndryshim dhe një jetë më të mirë për familjet e tyre“, tha kreu i PD.

Basha nënvizoi gjatë bashkëbisedimit rolin e BE për vendin tonë dhe nevojën për të bashkërenduar forcat për të nxitur përmbushjen e kushteve nga Shqipëria, sidomos ne luftën kundër kimit dhe korrupsionit, ndarjen e politikës nga krimi dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Sipas njoftimit për shtyp të demokratëve, ai shprehu vullnetin e palëkundur të PD për të vazhduar betejën për ndryshimin për të cilin vendi ka shumë nevojë.

Ministrat nga ana e tyre, sipas njoftimit të PD, u shprehën se BE dhe vendet anëtare do të ndjekin me vëmendje maksimale zhvillimet post-zgjedhore në Shqipëri, do të ketë një vëmendje të veçantë në raportin e OSBE/ODIHR dhe gjithashtu në vendimmarrjet e organeve administrative të zgjedhjeve dhe ato gjyqësore. Një theks të veçantë ato i vendosën procesit të integrimit që do të thotë një vëmendje edhe më të madhe të BE-së ndaj Shqipërisë.