Anglia prej javësh ka mbyllur çdo kontakt me Turqinë për shkak të rrezikut nga infektimet masive në vendin ballkanas dhe pasojat e këtij vendimi po i vuan Champions League.

Finalja as këtë herë nuk mund të luhet në Stamboll sepse lojtarët dhe stafet e Chelsea dhe Manchester City nuk lejohen të udhëtojnë drejt Turqisë. Prej ditësh UEFA po mendonte për të gjetur një tjetër stadium dhe sot është marrë vendimi zyrtar.

UEFA ka zgjedhur Porton për të luajtur finalen angleze të këtij viti. “Estadio do Dragao” do të presë ndeshjen më të rëndësishme të klubeve në Europë. Ky është viti i dytë radhazi që finalja zhvillohet në Portugali, pasi finalja e vjetshme u luajt në stadiumin e Benficas.

Lajmi tjetër i mirë është se në finalen e datës 29 maj do të ketë tifozë. Ende nuk është përcaktuar numri i tifozëve që do lejohen në stadium, por aktualisht në shitje kanë dalë 12 mijë bileta, nga 6 mijë për çdo klub.