Ilir Meta është i pari President në histori, për të cilin parlamenti kërkon shkarkimin. Teksa tashmë fatin e kreut të shtetit e ka në dorë Gjykata Kushtetuese, Ish Presidenti Alfred Moisiu, sugjeron Metës që nëse vendoset shkarkimi i tij, të dorëzojë detyrën.
“Parlamenti ka të drejtat e veta, ka argumentet e veta, të cilat i ka parashktruar, sigurisht është hera e parë që ndodh por do të shikojmë çfarë do vendosë gjykata kushtetuese. Unë mendoj që ashtu sikurse e merr detyrën nga Kuvendi edhe duhet ta dorëzosh kur vjen puna për tu dorëzuar”, tha Moisiu Moisiu është i bindur që të jesh president në Shqipëri nuk është një detyrë e lehtë, por ai duhet të udhëhiqet nga misioni për të qenë përfaqësues i unitetit.
“Presidenti është ai që duhet të bashkojë kombin, është ai që përfaqëson unitetin e kombit dhe kushdo që merr përsipër këtë detyrë duhet ta zbatojë. Kur zgjidhen nga partitë, personalitetet duan s duan do mbrojnë krahun nga i cili vijnë. Nuk është aq e lehtë, unë kam qenë vetë në këtë detyrë, pavarësisht se u zgjodha me konsensus dhe u mundova ta ruaj këtë konsensus në marrëdhëniet me partitë. Sepse ka probleme që politika duhet të jetë e gjitha bashkë dhe nuk mundet që për probleme të të ardhmes së kombit, të fateve të shqiptarëve të ketë pikëpamje të ndryshme. Mirëpo për fat të keq te ne politikanët e ruajnë frymën partiake. Ky është një problem shumë të madh”, u shpreh Moisiu. Lidhjet me politikën Moisiu e shikon si dëmtim të rolit të presidentit, ndaj mendon që ai duhet të zgjidhet nga populli.
“Politika shqiptare në 30 vjet ka patur uljet dhe ngritjet e saj dhe sigurisht që praktika ka treguar se zgjedhja e presidentit si e bëjmë ne nuk është shumë e drejtë, presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Sigurisht që kushdo që populli do ta zgjedhë mund të jetë politikan, por përgjegjësia është më e lartë për të përfaqësuar popullin e për zbatuar atë që e detyron Kushtetuta”, tha Moisiu. Kuvendi e shkarkoi Metën me 104 vota për shkelje të rënda të Kushtetutës, ndërsa vendimin për shkarkimin e tij Gjykata Kushtetuese do ta marrë pasi të konsultohet edhe me opinionin e Komisionit të Venecias.