Barazia gjinore në kushtet e rimëkëmbjes nga pandemia të ekonomisë ishte në fokus të forumit “Për barazinë gjinore”, të organizuar nga “Foreign Policy”.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në këtë forum në cilësinë e anëtares së Këshillit Konsultues për Gjininë dhe Zhvillim të Grupit të Bankës Botërore
“Aktualisht jemi në një fazë të avancuar të finalizimit të një marrëveshjeje me Bankën Botërore dhe Agjencinë Franceze të Zhvillimit për dhënien e një kredie për politikat e mbështetjes së barazisë gjinore, me qëllim përmirësimin e aksesit të grave në asete, rritjen e mundësive të grave në tregun e punës dhe forcimin e masave institucionale për politikat e informimit gjinor”, u shpreh Denaj.
Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që ka përfshirë në ligjin organik të buxhetit edhe buxhetimin gjinor. Deri në vitin 2023 numri i programeve mbështetëse në këtë aspekt parashikohet të arrijë në 43, nga 9 që ishte në vitin 2015.