Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ftoi sot turistët dhe vizitorët që të vizitojnë varret e Selcës dhe bukuritë e rralla që ka e gjithë Mokra, në Pogradec.
Është një përpjekje që Bashkia e Pogradecit po zhvillon së bashku me deputeten e zonës për të krijuar një destinacion, i cili funksionon 12 muaj të vitit dhe bashkia ka një projekt shumë ambicioz që kjo trashëgimi kulturore të trajtohet krejt ndryshe dhe të jetë pjesë e guidës së qytetit, tha Klosi.
Ministri theksoi se zhvillimi i infrastrukturës jugore dhe ndërtimi i rrugës për në Plloçë do ta bëj shumë më të lehtë aksesin e turistëve.
Por ai kërkoi që të përgatitemi e të krijojmë më shumë rregulla, të cilat bashkia i ka marrë me shumë seriozitet për të ruajtur këtë zonë.
Shpjegimet që bëjnë guidat janë fantastike, janë guida profesionale të licensuara tashmë, të cilët e kanë këtë destinacion për shumë e shumë turistë. Historia e e vendit tonë është e jashtëzakonshme dhe duhet parë nga sa më shumë shqiptarë në radhë të parë, dhe natyrisht dhe të huaj, tha Klosi.
Kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli u shpreh se këtu vijnë 7 mijë deri në 8 mijë turistë në vit. Kemi krijuar një festë siç është ‘Mokra në Festë’ dhe do ta bëjmë traditë. E kemi filluar vjet e do ta bëjmë edhe sivjet dhe kjo do të na shërbejë për promovimin e kësaj zone dhe të gjithë zonës së Mokrës, të traditës dhe zakoneve të tyre, tha ai.
Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti tha se Pogradeci në këto dy vite ka ndryshuar tërësisht ofertën e tij turistike.
Duke mos patur vetëm një turizëm që është njëstinor, por mbi të gjitha duke patur një turizëm katërstinor. Janë promovuar të gjitha destinacionet dhe Pogradeci është unik për t’u vizituar jo vetëm gjatë verës por edhe gjatë dimrit. Fal edhe punës fantastike që ka bërë bashkia Pogradec me krijimin e një kalendari 100-ditor aktivitetesh në kuadër të sezonit turistik veror, por mbi të gjitha ka arritur të promovojmë së bashku me Ministrinë e Turizmit këto destinacionet e tjera që shkojnë përtej qytetit, tha Gjylameti.
Ajo shprehu bindjen se duke kaluar së bashku në të gjitha pikat turistike e duke i promovuar ato, ne do të njohim historinë e vendit tonë dhe mund t’ja dalim fare mirë që situatën e pandemisë ta kthejmë në avantazh për vendin tonë e në mënyrë të posaçme për ta kthyer Shqipërinë në atë që duhet të jetë: një destinacion i vizituar në gjithë Europën.