Nga Plator Nesturi/ Qëndrimi i parë publik i Metës pas shkarkimit të tij nga Parlamenti do tërhiqte natyrisht vëmendjen. Deri më tani pronoicimet kishin ardhur vetëm nga zyra e shtypit e presidencës, qëndrime që gjithsesi ishin shumë të ashpra si në ton dhe në fjalor. Çështja që përbënte kërshëri në daljen mediatike të Metës ish fakti se si duhet marrë, si President apo si ish-President i shkarkuar nga Parlamenti? Në deklaratën hyrëse, Meta i mëshoi se mbetej si i tillë dhe se do të qëndronte në detyrë deri sa t’i mbarojë afati. Nuk është e para herë që e thotë këtë por gjithsesi kësaj rradhe kemi dhe një vendim të Kuvendit që ia mohon të drejtën e vijimit si kreu i shtetit. Pavarësisht kësaj Meta do të garantojë se mbetet në pritje të sezonit të ri parlamentar për të krijuar marrëdhënie të reja me maxhorancën por dhe me opozitën e re.
Deri këtu kemi një qëndrim për të dhënë imazhin e statistit, atë të kreut të presidencës dhe për këtë Meta kësaj rradhe ka mbajtur tone më të qeta dhe larg gjuhës agresive që jemi mësuar të shohim në muajt e fundit. Por nuk mjafton me kaq nëse analizojmë fjalën e tij. Meta nuk u paraqiti thjesht si vijues i detyrës së presidentit, por dhe si diccka më shumë, si vetë imazhi i opozitës. Në asnjë rast gjatë fjalës së tij nuk përmendi një rresht për opozitën aktuale, as fushatën e saj dhe as për qëndrimin e heshtur të PD lidhur me shkarkimin e Metës nga Kuvendi. Përkundrazi, Meta kërkoi të rimishërohej dhe si opozitë. Sipas tij, vetë shkarkimi i tij vjen si një hakmarrje se veç ai është imazhi opozitës dhe ish veç ai që ka dashur të mbrojë zgjedhjet e të ketë bërë denoncimet për shkeljet. Askush tjetër, përfshi dhe PD. Veçse ky dyzim i tij, ku kalon herë në pozicionin e kreut të shtetit e herë në atë të opozitarit të vetëm, jo vetëm e nxjerr të vetmuar figurën e Ilir Metës, por dhe më shumë se kaq. Është ky dyzim, që nuk mund ta fshehë dhe në konferencën e fundit të tij, që jep shembullin më të mirë se vendimi i shkarkimit ka një bazë reale. Se nuk mund të jesh president e njëkohësisht të jesh dhe opozitar. Madje aq opozitar sa nuk të do as vetë opozita. Dhe një president që nuk është i vlefshëm e përfaqësues për askënd.