Me një mesazh sensibilizues është paraqitur ministrja e Arsmit, Evis Kushi në ekspozitën e trafikut të qenieve njerëzore ‘Care and Dare’, e organizuar në sheshin “Nënë Tereza”.

Ministrja Kushi tha se sensibilizimi dhe edukimi kundër këtij fenomeni duhet të fillojë që në bankat e shkollës, kur fëmijët janë shumë të vegjël. Sipas saj, sa më të vegjël të jenë fëmijët aq më efikase është puna jonë për t’i bërë ata qytetarë të denjët ët shoqërisë që na rrethon.

“Nuk ka ide më origjinale se sa të përdorësh artin për të edukuar dhe ndërgjegjësuar njerëzit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. E gjithë fushata për të sensibilizuar dhe edukuar kundër këtij fenomeni duhet të fillojë nga shkolla, nga edukimi që në bankat e shkollës, madje që në moshë sa më të hershme, sa më të vegjël të jenë fëmijët aq më efikase është puna jonë për t’i ndërgjegjësuar që të bëhen qytetarë të mirë të shoqërisë sonë”, tha Kushi.

Ministrja Kushi falenderoi fëmijët për pikturat që kanë zgjedhur të ekspozojnë, si edhe ambasadoren Holandeze, Guusje Korthals Altes për kontributin dhe mbështetjen e nismës.

“Faleminderit të gjithë nxënësve artistë në mbarë Shqipërinë që me pikturat e tyre plot kreativitet shprehën botëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e tyre rreth këtij fenomeni. Faleminderit ‘Tirana Art’ dhe Ambasadorja Holandeze Guusje Korthals Altes për kontributin dhe mbështetjen e kësaj nisme kaq kuptimplotë”, tha Kushi.