Fushat piktoreske në Malësinë e Madhe të familjes Skora, që kultivojnë dhe përpunojnë livandë e lloje të tjera bimësh mjekësore, janë shembëlltyrë frymëzuese e Shqipërisë që duam. Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi pamje nga këto fusha ku kultivohet livando dhe bimë të tjera mjekësore. “Shihni këto qindra hektarë fusha piktoreske në Malësi të Madhe të familjes Skora dhe fermerëve të zonës, shembëlltyrë frymëzuese e Shqipërisë që duam, ku falë punës së palodhur e mbështetjes së merituar financiare edhe nga qeveria shqiptare, përmes AZHBR dhe programit të ndihmës europiane për bujqësinë, kjo kompani synon të bëhet prodhuesja më e madhe e bimëve medicinale në rajon”, tha Rama.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021 ofron subvencionim për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë/ha, por jo më shumë se 1 000 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh. Ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), jo më shumë se 4 000 000 lekë. Sipas Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) është dyfishuar numri i fermerëve të kualifikuar përfitues, që kanë aplikuar për subvencione në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike në Skemën Kombëtare 2021.