Fillimi i sezonit turistik veror në Shqipëri, këtë vit po jep shenja gjallërimi dhe pritshmëritë që të jetë më i mirë sesa ai i vitit të shkuar mbeten të larta.
Shqiptarët e Kosovës pritet të jenë shpëtimi përmes të ashtuquajturit “turizmi patriotik” që mund të ndihmojnë vendin pas goditjes që mori nga pandemia e COVID-19.
Fluks i madh pushuesish kanë kaluar në pikën kufitare të Morinës, në fillim të Qershorit. Sipas të dhënave të policisë gjatë këtyre ditëve kanë kaluar kufirin për të hyrë në Shqipëri, mbi 30 mijë persona.
Autoritetet bëjnë të ditur se policia ka shtuar sportelet dhe po punon me procedurë të përshpejtuar.
Vetëm fundjavën e kaluar kanë hyrë rreth 15 mijë qytetarë të Kosovës drejt Shqipërisë, ndërkohë që në katër muajt e parë të 2021, në vend janë futur përmes pikës së Morinës mbi 380 mijë shtetas.
Sezoni i kaluar shënoi më shumë se 1.7 milionë pushues nga Kosova, ndërsa edhe ky vit po ecën me të njëjtin ritëm pasi situata e pandemisë në Shqipëri dhe Kosovë është drejt përmirësimit.