Kancelari austriak Sebastian Kurz, këtë te enjte ka deklaruar se është me rëndësi takimi i zhvilluar dy ditë më parë në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. “Ato takime nuk janë të thjeshta dhe ne e dimë këtë. Progresi deri më sot ka qenë i kufizuar. Kjo është arsyeja pse takime të tilla janë të rëndësishme dhe shpresoj se do të ketë progres të duhur në të ardhmen. Kjo do të ishte mirë për qytetarët dhe të gjithë rajonin. Të gjithë duhet të kenë interes në mbajtjen e bisedimeve të tilla”, shtoi ai.
Në një intervistë të dhënë për mediat vendase, Kurz ka thënë se rruga e zgjidhjes mund të jetë vetëm ajo në të cilën të dy palët do t’i afrohen njëra-tjetrës. “Një zgjidhje tjetër nuk është e mundur. Për këtë kam biseduar me Miroslav Lajçak, i cili është një diplomat me përvojë, ish-Ministër i Punëve të Jashtme. Unë i thashë atij se jemi në dispozicion nëse mund të sigurojmë mbështetje. Rajoni është shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Kurz.
I pyetur se sa fuqi ka Brukseli në zgjidhjen e këtij problemi, Kurz tha se të gjithë pjesëmarrësit e dinë se bisedimet konstruktive, të cilat ai shpreson se do të çojnë në një zgjidhje, paraqesin një bazë për një jetë të qetë në rajon, për një zhvillim të mirë ekonomik dhe për integrimin evropian.